Punimet në shesh, makinat do të qarkullojnë me këtë skemë
Kaosi dhe trafiku i makinave do të vazhdojnë të jenë pjesë e Tiranës për një kohë të papërcaktuar. Administratori i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, shpjegoi se për sa kohë do të jenë punimet në shesh, e vetmja skemë e qarkullimit të makinave në kryeqytet do të jetë skema aktuale. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës me konsulencën e studios italiane, realizoi një skemë të përkohshme të qarkullimit, e cila do të shërbejë si gjatë momentit të realizimit të punimeve në shesh, ashtu edhe pas mbarimit të tyre. Jemi duke e zbatuar këtë skemë, jemi duke punuar me policinë e qarkullimit rrugor, por realizimi i plotë i saj ka të bëjë edhe me mënyrën se si qytetarët janë mësuar të sillen në raport me trafikun dhe me sheshin Skënderbej, që ka qenë tradicionalisht rrugë kryqëzimi. Sot, qytetarët duhet ta kuptojnë se ka shumë alternativa për të shkuar në destinacionet e tyre dhe jo gjithmonë duhet të zgjedhin rrugën që kalon nga sheshi Skënderbej, - shprehet Agolli. Ndërkaq, administratori Agolli ka pohuar gjithashtu se Bashkia e Tiranës i ka të gjitha studimet, duke iu referuar edhe atij të trafikut, për të nisur realizimin e projektit për kthimin e sheshit Skënderbej në një zonë vetëm për këmbësorë. Ai thotë: Në studimin francez ka pasur edhe një studim për transportin në shkallë shumë më të gjerë. Arkitektët e zgjidhnin këtë problem duke krijuar Unazën e Vogël, e cila ka qenë një ide e hershme, por duke e përforcuar dhe duke e dizenjuar këtë unazë, që do të shërbente si një aks qarkullimi dhe aksesi për në shesh, ndërkohë që ky i fundit do të ishte totalisht i lirë nga makinat.