Pamuk, Doktor Honoris Causa i jepet në Tiranë
Nuk është hera e parë që për çdo libër të ri të thuhet se do të vijë vetë shkrimtari Orhan Pamuk në Tiranë. Nga shtëpia botuese Skanderbeg books, që boton ekskluzivisht romanet e këtij autori në Shqipëri, marrin lajmin se për botimin në shqip të veprës së tij më të re Stambolli, do të jetë i pranishëm në promovimin e veprës së tij edhe shkrimtari turk, Orhan Pamuk. Ai vjen, pasi do ti dorëzohet titulli Doktor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës dhe në një sërë takimesh me personalitete të artit, të kulturës e të politikës shqiptare, si edhe do të flasë ekskluzivisht për lexuesin shqiptar nëpërmjet ekranit. Në njoftimin për shtyp, thuhet se ai ka shprehur dëshirën për një vizitë të veçantë në qytetin e Beratit, i interesuar për thesaret kulturore e muzeale të këtij qyteti të lashtë shqiptar. Orhan Pamuk është një ndër autorët e njohur edhe për lexuesin shqiptar dhe qysh prej vitit 2006 veprat e tij kanë qenë në krye të listës së titujve më të shitur në libraritë shqiptare. Orhan Pamuk është nobelisti i parë në letërsi që viziton Shqipërinë dhe vizita e tij pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare të këtij viti. Shkrimtari i mirënjohur turk, Orhan Pamuk, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2006, do të vizitojë Shqipërinë më 17-18 maj 2010, me ftesë të botuesit të tij ekskluziv në gjuhën shqipe Skanderbeg books. Kjo vizitë ka qenë e planifikuar qysh në vitin 2006, me rastin e botimit të veprës së tij të parë në gjuhën shqipe Unë jam e kuqja, vit kur ai edhe u shpall fitues i çmimit Nobel në Letërsi, që u bë edhe arsyeja e shtyrjes në kohë të vizitës së planifikuar. Gjatë kësaj kohe, në gjuhën shqipe është botuar pjesa më e madhe e veprës së tij, si romanet Unë jam e kuqja, Bora, Kështjella e bardhë, Shtëpia e heshtjes, Jeta e re, si edhe libri me ese Baulja e babait. Gjatë këtij viti pritet të botohen edhe romanet Muzeu i pafajësisë dhe Libri i zi, vepra që pothuajse përmbyllin korpusin e tij letrar në shqip.