Punimet për ndërtimin e shkollave, Erion Veliaj inspekton kantierin në Vaqarr

Punimet për rindërtimin e shkollës 9 vjeçare “Ibrahim Hima” në Vaqarr po vijojnë me ritme të shpejta. Gjatë inspektimit në kantier, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë për krijimin e kushteve të mira për nxënësit e zonës.
“Fakti se 1/3 e punës është bërë në më pak kohë seç ishte parashikuar, do të thotë se e gjithë shkolla do të mbarojë në kohë rekord. Mezi pres që fëmijët të kenë një super hapësirë. Ka qenë ndoshta shkolla e vetme, ose ndër dy të vetmet, të cilat e kanë pasur tualetin jashtë. Më vjen mirë që jo vetëm zhdukim këtë mënyrë të prapambetur të higjienës, por shkolla do trefishohet, po ashtu edhe klasat, laboratorët, ambientet sportive”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se po punohet edhe për ndërtimin e shkollave të reja në zona si Astiri.
“Nëse më parë kishte një vijë të verdhë mes ish komunës dhe qytetit të Tiranës, sot vija e verdhë nuk do të kuptohet fare, as në hartë, as në terren. Duam që brenda dhjetorit të mbarojmë garat për shkollat tek lagjja ‘Rilindja’, tek Unaza e Madhe. Fillimi i tre shkollave aty zgjidh përfundimisht një ngërç të jashtëzakonshëm që kemi pasur aty”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku e cilësoi ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave si një mision për të lënë pas një trashëgimi të vyer për brezin e ri./vizionplus.tv