Punonjësit e Albpetrolit, 3 muaj pa rroga
3500 punëtorë të kompanisë së Albeptrolit, të cilët aderojnë në pesë sindikata të kësaj shoqërie, i kanë dërguar një letër kryeministrit Berisha, ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, kryetarit të Këshillit Mbikqyrës të Albpetrol sh.a., Gjedjon Rehovica, dhe drejtorit të Përgjithshëm, Ferdinand Murati. Ata shprehen se kanë tre muaj pa marrë pagat mujore, ndërkohë që asnjë informacion zyrtar nuk u është dhënë në lidhje me këtë.
Ne i jemi drejtuar zyrtarisht me shkresë nr 5 datë 23.01.2012 drejtorisë së kësaj ndërmarrjeje duke kërkuar një takim me qëllim për të diskutuar rreth këtij problemi, por deri më sot nuk kemi marrë asnjë konfirmim për takim nga ana e drejtuesve të Albpetrolit, thuhet në peticion. Gjithashtu në letër ngrihet edhe problemi i privatizimit të Kompanisë Albpetrol.
Ne nuk kemi asnjë dijeni mbi këtë proces dhe kërkojmë nga ana juaj të njihemi me formulën e privatizimit dhe të dëgjohemi në lidhje me problemin social të trajtimit të punonjësve.
Në fund, punëtorët shprehen se në rast se problem i pagave nuk zgjidhet, ata do të përdorin të gjitha mjetet ligjore për këtë. Peticioni është firmosur nga Gafur Tora, kryetar i sindikatës së QPN Ballsh; Myrteza Goxhaj, Sindikata Autonome e Ndërmarrjes së Naftës Patos; Refit Tabaku, Sindikata e Pavarur Q.P.N Kuçovë dhe Veli Fejzullahu, Sindikata e Pavarur e Naftës Patos. / K. Thana