Tadiç dhe Thaçi e lexojnë marrëveshjen sipas interesave
Beogradi dhe Prishtina kanë arritur këtë të premte marrëveshje për dy çështje domethënëse, që pritet të sjellin marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në BE për Serbinë dhe pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale.
Marrëveshja parashikon që emri i Kosovës të shënohet me yllë (Kosova*), ku në fund do të ketë një shënim që i referohet rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nuk flet për pavarësinë dhe vendimit të GJND-së që thotë se pavarësia e saj është ligjore.
Pak minuta pas publikimit të lajmit të arritjes së marrëveshjes kanë reaguar Hashim Thaçi dhe Boris Tadiç. Presidenti i Serbisë është shprehur se Kosova – me arritjen e kësaj marrëveshje – në forumet rajonale nuk do të përfaqësohet si shtet i pavarur.
Kosova nuk do të prezantohet në punën e forumeve dhe institucioneve rajonale si shtet i pavarur, por në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së rreth Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka deklaruar Tadiç. Ai ka shtuar se me marrëveshjen e arritur u mbështet politikën e tij që është bashkë, Evropë dhe Kosovë për të cilën tha ai qytetarët e Serbisë e kanë mbështetur.
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës edhe pse e ka prezantuar marrëveshjen si të rëndësishme ka shtuar se ajo është e përkohshme. Kryeministri tha se shtetësia nuk është zbehur me këtë marrëveshje, përkundrazi Kosova më në fund do të flasë me zërin e saj në konferencat rajonale dhe pa përfaqësuesin e UNMIK-ut.
Formula në fusnotë nuk është ideale, për është më e pranueshmja për momentin politik, në të cilin po kalon Kosova, është shprehur Thaçi. Kjo është formulë e përkohshme, ka shtuar ai. Thaçi gjithashtu tha se marrëveshja e arritur sot në Bruksel ka larguar përfundimisht UNMIK-un nga tavolina e përfaqësimit me Kosovën.
F.Stafa