E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushkatimi i fundit

Share

Nga Daniel GÀZULLI

   - Dom Mikel Beltoja

Martir i Atdheut dhe i Fesë

(17 Prill 1935 10 Shkurt 1974)

Viti 1966, Kongresi V famëkeq i PPSH, do të shënonte një ndër periudhat ma të zeza të jetës politike e shoqnore të Shqipnisë, thuejse si në vitet e përgjakëshme 1944-1949. Mbas tij erdhën si fortunë shkatrrimtare lufta kundër fesë, shkatrrimi barbar i Kishave e i Xhamive dhe kthimi i tyne në depo armatimesh apo prodhimesh bujqësore; kundër kulturës e artit ma të mirë kombtar e ndërkombtar; denigrimi i çdo tradite të shëndoshë shqiptare; militarizimi politik i shkollës; kthimi i grues në një robot sfilitës nëpër aksione (punë pa pagesë), stërvitje ushtarake e shpërfytyrime të tjera në emën të të ashtuquejtunit emancipim; tjetërsimi i rinisë; kallja e frikës tek të gjithë nëpërmjet riakutizimit të luftës së klasave, e sa e sa shëmtimeve të tjera.

Nuk kanë qenë të shumtë ata që mundën ti banin ballë një presioni të tillë politik, social, ekonomik, psikologjik, e deri thjeshtë policesk. Ata që i rrezistuen pa u lëkundë një çast në udhën e një jete kalvar, ishin thjeshtë heroj. Mjaft të kujtojmë dy prej tyne: Të madhin At Pjetër Mëshkalla dhe stoikun Dom Mikel Beltoja.

Për njenin prej tyne, për të thjeshtin, por madhështorin, të paharrueshmin Dom Mikel Beltoja do të përpiqem të them dy fjalë.

Me pushkatimin e legjendarit Dom Dedë Malajt e të Dom Ejëll Kovaçit, sidhe dënimin me 20 vjet burg të At Kondrad Gjolajt, si të thuesh, ishte mbyllë cikli edhe i eliminmit fizik të Klerit Katolik Shqiptar. Tashma kundërshtari ma i vendosun e i nivelit ma të naltë të komunizmit ishte eliminue thuejse krejtësisht. Terrori psikologjik ndërkohë kishte ba punën e vet: Ata të paktë meshtarë që kishin ngelë ende gjallë, dhe ende të lirë, duhej të mësoheshin të heshtnin.

Në këto rrethana, e mbas izolimit të plotë nga bota perëndimore, veçanarisht nga Vatikani, Imzot Çoba u përpoq të zëvendësonte numurin e reduktuem të meshtarëve pothuejse në zero tue hapë pranë Arqipeshkvisë në Shkodër një kurs teologjik e filozofik të drejtuem prej atij vetë, që të mund të përgatiste edhe ndonjë meshtar të ri. Në atë kurs morën pjesë kryesisht ish studentë të Seminarit Papnor të Shkodrës, mbyllë në vitin 1946. Përjashtim bante vetëm një djalë i thjeshtë nga Beltoja, Hilë Gjergji, i njohun ma vonë me emnin Dom Mikel Beltoja.

Ata që ndiqnin atë kurs ishin të vetëdijshëm çfarë mund ti priste: si paraardhësit e tyne burgjet, pushkatimet, persekutimi i gjithëfarëllojshëm.

Por ndërsa të tjerët, në fund të fundit, e kishin pasë me kohë vokacionin drejt meshtarisë, ishin pra të përgatitun edhe shpirtnisht e psikologjikisht me përballë çfarëdo rreziku, çfarë e kishte shty atë djaloshin fshatar nga Beltoja me marrë në sy ashtu rrezikun?

Hilë Gjergji kishte le me 17 prill 1935 në një familje të thjeshtë fshatare, por të devotëshme ndaj fesë. U rrit në një mjedis ku thjeshtësia e një jete gati biblike dhe atdhetarizmi kishin rrajë të lashta: në ato treva historia shqiptare ishte shkrue me shkronja të arta, ashtu siedhe ruente në kujtesën e vet historike tradita të shqueme të katoliçizmit.

Një ndikim të veçantë në edukimin e djaloshit të ri pat edhe ishseminaristi Pjeter Gjoka, një prej studentëve të fundit të Seminarit Papnor të Shkodrës, i cili ishte dënue me 10 vjet burg në gjyqin famëkeq kundër At Gjon Shllakut, At Giovanni Faustit, At Daniel Dajanit e themeluesit të së parës organizatë demokratike dhe antrikomuniste në Shqipni, semianristit Mark Çuni, të katërt të dënuem me vdekje.

Vitet e para të jetës së Hilës së vogël nuk kanë asgja të veçantë për tu shënue. Ai kreu shkollen e detyrueshme, 7-vjeçaren, si i thonin atëherë, punoi në kooperativë bujqësore ndër punët ma të randa për moshën e tij të njomë, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Asgja për tu shënue në jetën e tij të përvuejtë, por me një devotshmëni shembullore ndaj fesë.

Paraqitja e Hilë Gjergjit në Arqipeshkvi për tu regjistrue në kursin e meshtarisë ishte befasuese për të gjithë: për bashkfshatarët, që pyesnin, po ky, a e di se çfarë do ta gjejë; për vetë Imzot Çobën, i vetëdijshëm për nivelin e ultë arsimor të djaloshit, por i befasuem për kthjelltësinë dhe vendosmëninë e tij për të marrë rrugën e meshtarisë. Sa fillonte pyetjen Imzot Çoba për ta paralajmrue se çka mund ta priste e nëse ai ishte i përgatitun me i përballue vështirësitë, Hila i ri i përgjigjej pa mbarue: Po, e di. Edhe Jezusi e dinte se do të shkonte në Kryq. Çka jam unë para Tij?!

Mbas tre vjetësh përgatitje intensive, ditë e natë mbi libra të shejta, Hilë Gjergji u shugurue meshtar me datë 08/12/1961.  Andërra e tij me u ba shërbëtor i fesë së Krishtit e mos me lanë të krishtenët pa bari, ishte ba realitet.

Ata që e njohën nga afër do të kujtojnë se Dom Mikel Beltoja nuk dallohej për ndonjë gja të veçantë: Nuk ishte erudit si paraardhësit e tij; nuk shfaqte ndonjë mprehtësi të jashtëzakonëshme as në shtjellimin e predikimeve; nuk ishte ndonjë orator i shquem si përmendeshin At Anton Harapi, Dom Ndre Zadeja, Dom Kolec Prennushi etj.; por në vendosmëni e përkushtim ai nuk i lëshonte radhë askujt.

Po në fund të fundit edhe ato vite të pakta meshtarie, pse më 1967 u mbyllen Kishat, nuk asht që lanë ndonjë gjurmë të veçantë ndër besimtarë gjatë shërbimit të tij në Dajç të Bregut të Bunës, Shllak e Barbullush.

Kur famëkeqi revolucion kulturor çoi në mbylljen e Kishave, Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë pranë familjes. Kishte fillue arrestimi në masë i atyne pak meshtarëve që ishin ende në shërbim (shumica e të cilëve e kishin provue burgun të paktën edhe një herë ma parë). Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë, por nuk u tërhoq për anjë çast nga shërbimet fetare që ia kërkonin besimtarët. Ndërsa meshtarët tjerë, ende të lirë, ishin strukë të tmerruem në ndonjë barakë apo pranë ndonjë të afërmi, ai shkonte kudo e thërriste detyra: prej Barbullushit deri në Shllak, atje ku njerëzit kishin nevojë ma shumë të besonin se ky nuk mund të ishte fundi. Ai vinte kunora martese (tinëz, natyrisht), pagëzonte e krezmonte fëmijë, pa pyetë se cilat do të ishin rrjedhojat.

Prifti fshatar, i heshtun, por edhe i ambël, i thjeshtë deri aty, por edhe trim deri aty, nuk desht tia dinte si e ndiqte rrjeta e merimangës së zezë, Sigurimit të Shtetit. Kur ndokush e paralajmronte se çka po i përgatiste vetes, ai i përgjegjej buzëgaz: Mirë, kështu thanka partia? Po ligji? A asht kund e ndalueme me ligj me pagëzue fëmijtë?

Prangat e zeza, të trashëgueme pa numur qysh kur punët me Jugosllavinë ishin grunë, e dhurue me zemërgjansi për duer të shqipatrëve, ranë edhe mbi duert e ndershme të priftit fshatar. Ishte data 19 prill 1973.

Motivi? Agjitacion e propagandë kundër partisë. Ia dëshmuen dhe ai e pranoi se kishte thanë: Dashnia e Zotit asht e përjetëshme, drejtësia (padrejtësia) e njerëzve asht e përkohëshme… Bashkë me bukën e përditëshme duhet tu jepni fëmijëve edhe virtytin. Atdheu forcohet nga virtyti i bijëve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.

Ja, pra, agjitacioni e propaganda, për të cilat dënohej deri n

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›