Anormaliteti i mendësisë së diktaturës që lamë pas
Vëzhgime mbi një libër anakronik
Nuk ka vend të botës së lirisë euroatlantike që të stimulojë nostalgjitë për regjimet nazifashiste apo komuniste. Te ne ndodh ndryshe. Hitlerizmi është i keq. Komunizmi stalinist qenka i mirë! Me këtë emërtim të dytë mund të kuptohet, pa u vënë asfare në dyshim, enverizmi. Prandaj mund të quhen anakronike, jashtë kohës së ndërrimit të sistemeve, ekzaltimet e diktatorit në Pezë (me rastin e 16 shtatorëve), apo fotot e mëdha të Enverit në muret e ministrisë së Jashtme (në kohën e pushteteve të së majtës, natyrisht), ose ato përkujtimoret e 11 prillit, me pompozitet e me brohori, që janë të jashtëkohshme për vendin tonë, i cili ka vuajtur më tepër se diktaturat komuniste homologe europiane, së paku.
Nuk kontestohet dot se jemi të jashtëkohshëm, po të mundemi të bëjmë krahasime. I tillë është edhe ai rasti i aktorit të talentuar gjerman, Johanes Esli, që vdiq para pak muajsh, në moshën 108-vjeçare. Për këtë kam shkruar diçka edhe më parë. Por tani, fare shkurt, mund të përsëris edhe pak fjalë, se më duket emblematik ai tersllëku që në një intervistë, ajo që e pyeti, i kishte thënë Eslit se duhet ta mbante mend mirë Hitlerin. Johanes Esli i foli vetëm për disa akuarele, që i kishin bërë përshtypje në atë kohë. Vetëm kaq u desh që publiku i fashiti duartrokitjet e recitimeve në shfaqjet ku ftohej vazhdimisht. Tanimë nuk thirrej as në spektaklet e në programet artistike, siç ndodhte më parë. Në njërin prej tyre vajti i paftuar dhe me lot në sy i kërkoi publikut ta falte për gabimin që kishte bërë dhe tregoi se e kishte kritikuar edhe bashkëshortja. – Ju lutem shumë të më falni,-tha dhe i rrëshqisnin lotët. Publiku gjerman e duartrokiti nxehtësisht dhe ai u bë i pranishëm për këtë publik, si kurdoherë.
Më duket kuptimplotë ky episod që tregon, në shkallë krahasimi, se nuk po ecim me rrjedhën demokratike të kohës.
Tani kam përpara një libër apologjetik, për t’u mbushur mendjen kosovarëve sesa i përkushtuar ka qenë Enveri për Kosovën. Parathënien prej 25 faqesh të këtij libnri e ka bërë Nexhmije Hoxha. Ajo shkruan se i biri, Iliri, “ndërmori të shkëpusë disa pjesë nga Veprat e Enverit, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Kosovën”. Por ajo i rrëshqet pyetjes që ngreh lexuesi, “ se të cilës kohë janë këto “disa pjesë”. Në faqen 12, ajo shkruan: “Në krye të këtij libri dua të ndalem në disa ide e qëndrime të Enverit që, ndoshta, nuk janë bërë të njohura në Historinë e PPSh-së e në botime të tjera”. Përse me këto pasiguritë e saj me “ndoshta” që nuk qenkan bërë të njohura në Historinë e PPSh-së e në botime të tjera? Përse i mungojnë asaj historie, këto pjesë që ajo duhet t’i dijë më mirë se cilido prej nesh?
Datat e këtyre shkrimeve që ka zgjedhur Iliri, nga “Ditari i pabotuar” nisin me 2 janarin e 1963-shit dhe mbarojnë me 30 dhjetorin e 1984-s. Kjo data e fundit që mbaron me fillimin e janarit të 1985-s, qenka shkruar plot tre muaj e 11 ditë nga vdekja e diktatorit. E në prag të mbarimit të jetës, ai ka shkruar: “ Shovinistët e tërbuar serbë, antishqiptarizmin e kanë në gjak. Ata kurrë nuk kanë menduar mirë për popullin tonë”. A mund të shkruheshin këto në vitet kur e bënin ligjin në shtabet tona, me hapjen e dyerve dy kanatash, emisarët e Titos në vendin tonë? Një frazë tjetër e po kësaj date: “Jugosllavët kanë punuar e menduar haptazi e nën rrogoz për nënshtrimin e plotë të popullit tonë e, siç flasin dokumentet, për ta bërë vendin tonë republikë të shtatë të Federatës së tyre, domethënë jo të jepnim Kosovën, por të gllabëronin edhe R.P. të Sipërisë e t’i kishin nën sundimin e egër grabitës e shkombëtarizues serbomadh”.
Ç’bëhet kështu? Merren frazat e nacionalistëve shqiptarë (ata që kanë luftuar vërtet kundër okupatorëve) dhe përvetësohen nga E. Hoxha, në 30 dhjetor të 1984-s! Por a nuk u shfarosën antifashistët nacionalistë të Mukjes për këto mendime? Në Mukje, Thoma Orollogai, antifashist që ngriti parlamentin në këmbë në një seancë të mbyllur parlamentare në vigjilje të pushtimit e që u propozua nga vetë nacionalçlirimtarët për të drejtuar këtë kuvend, u akuzua si fashist, fill pas Luftës II Botërore dhe u pushkatua! Por sa pjesëmarrës të rëndësishëm të Konf. Pezës dhe asaj të Mukjes , u ekzekutuan fill pas Luftës II Botërore?
Në faqen pasardhëse (286) të kësaj date të ditarit, Shqipëria përmendet si vend me stabilitet ekonomik. A mund të quhet i tillë një vend kur u thuhej shqiptarëve se edhe presh do të hanim, vetëm për të mos tradhtuar parimet? (Në të vërtetë me talona ishin shqiptarët që do të hanin preshin, jo bllokmenet që pillnin në Francë dhe ata që vinin në Paris, për një dhëmballë!). Në këtë shkrim testamentar, nëse e pranojmë të shkruar nga ai, flitet edhe për “një lëvizje të disidencës në Jugosllavi”. Po e citojmë frazën të tërë: “Lëvizja e disidentëve, e atyre që kërkojnë reforma më radikale e që në fakt duan të marrin drejtimin e vendit në dorë, tashmë ka mbrojtjen e disa qarqeve të caktuara, të brendshme e të jashtme”. Atëherë shtetasit jugosllavë paskan pasur një liri qindra herësh më të madhe se shqiptarët e Shqipërisë. Këtu e kanë paguar shtrenjtë qoftë edhe një fjalë, të thënë nën efektet e birrës në një lokal, se “më duket se është sëmurë ai i madhi!”. Sa veta janë dënuar tmerrësisht edhe pa thënë asnjë fjalë të tillë. Sipas skenarësh imagjinarë, se paragjykoheshin si armiq! Edhe ajka e gjeneralëve të n.çlirimtares nuk ka asnjë të dhënë se ka folur një fjalë të keqe kundër E. Hoxhës, palé të kenë komplotuar kundër tij!
Ja, sesi ky libër, i përgatitur nën kujdesin e Nexhmijes, kërkon të na sugjestionojë për gjëra të pabesueshme.
Në f. 24 Nexhmija flet për “planet ogurzeza” dhe flet për vitet 1945, ’46 e ’47, sikur në ato vite nuk dekoroheshin nga regjimi i Enverit që nga Miladini, te Dushani, te Velimir Stojniçi, te Tempo, te Dizdareviçi e te kallam kusuri! Enveri – lexojmë pas një rreshti, - i kishte thënë mikut kosovar “që t’u thoshte vëllezërve tanë që ta pleqërojnë mirë e ta vendosin vetë”, që Kosova të ishte Republikë e shtatë, brenda Federatës.
Në f. 31 lexojmë: “Botimi i këtij libri mund t’u shërbente atyre që do të donin të dinin se ç’mendonte E. Hoxha për Kosovën e kosovarët...”. Përse s’i thoshte ato se ç’mendonte etj. në vitet ’42, ’43, ’44, ’45, ’46, ’47 e gjer te “tradhtia e Titos”, por në këtë libër shkruhen mendimet e diktatorit nga 1963-shi, e gjer në tre muaj e disa ditë para vdekjes?
Në f. 16, Dushan Mugosha quhet agjent i vjetër i OZNA-s dhe i UDB-së “pas zullumeve që bëri në Shqipëri gjatë luftës Nacionalçlirimtare”. Por nuk qé po ajo Nexhmije që ka shkruar letra të përmallshme, kur ky “kolaboracionist i fashistëve” (cituar) u thirr të punonte për internacionalizmin proletar në Jugosllavi?
Ja, pra, përse ky është një libër-bumerang i pabesueshëm. Është vetëm për të vazhduar mashtrimin e madh që iu bë kosovarëve gjatë luftës dhe në vitet e para fill pas Luftës II Botërore. Vazhdon edhe përçarjen në Kosovë, duke e përbuzur dhe duke e paraqitur me fjalë të pahijshme Dr. Rugovën, kur ai ka elektoratin e tij dinjitoz në Kosovë. Ne, natyrisht, nuk mohojmë as vlerat e UÇK-së, për çlirim.
Nexhmija përmend me fjalë hipokrite lavdëruese Jusuf Gërvallën në këtë libër, kur bashkëshorten e tij historiane, Suzana Gërvallën e përflet në mënyrë tepër denigruese në Kujtimet e saj për Enverin, vetëm se ajo ua kuptoi hipokrizinë dhe u bë, bashkë me fëmijët, simpatizante e PD-së dhe e Dr. Berishës.
A mos kujton ajo se me libra të tillë do t’i bëjë sfidë librit “Zonja e Zezë”? Por ky libër po përhapet në të gjithë botën, ndërsa libri i saj i fundit është thuajse i harruar.
Le të nxjerrë dokumentet e Enverit në muajt e mjaltit me Dushan Mugoshën, që tani e quan fashist!