E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pusho shqip... në Kafasan

OPINION nga ROMEO HANXHARI

Pusho shqip"... në Shqipëri.Kjo është iniciativa aq e lavdërueshme e lëvizjes "Zgjohu" në Shkup. Birinxhi djemtë tanë të Shkupit! Por ama në Maqedoni ka historira për këtë të uruarën Shqipëri. Janë çoç gjëra të lezetshme fort, të cilave besoj se djemtë e "Zgjohu"-t do t'ua gjejnë anën e do i ujdisin shpejt. Ndaj unë tani për tani them "pusho shqip …në Kafasan". Ja kini durim e ju rrëfej pse.
Njëherë, nëse keni qejf të shijoni ndonjë emërtim të Shqipërisë të kohës së komunizmit, s'keni pse shkoni në biblioteka a fototeka. Mund ta përjetoni "live" emocionin, madje emocion sllavisht...

...mjaft pra të shkoni në Shën Naum (më falni, në Sveti Naum doja të thosha), pra në atë pikën e bekuar natyrore, që çoç dekada më parë ishte zyrtarisht brenda kufijve të Shqipërisë. E, kur të nisni të merrni rrugën e kthimit nga atje për në Tushemisht, do të shikoni një tabelë që ju tregon ashiqare fare se në të djathtë shkoni për në ..."Narodna Republika Albanija", pra në Republikën Popullore të Shqipërisë. Po, po, pikërisht Popullore. Sepse ashtu quhej Shqipëria përpara 40 vjetëve. Do thoni ju, "epo, do të ketë mbetur tabela që në kohë të Nemces, dmth të Titos, rahmet pastë fakiri". Jo, jo, jo. Tabelën pata emocionin e rrallë që ta shoh vetë bashkë me studentët e mi përpara ndoca javësh, dhe ja ku e keni në kadro: ishte e re fringo tabela, fosforeshente, e bërë me tender, shkëlqente krenare aq sa ta lëvizte trurin. Por, or miq, kështu si në tabelë me sa duket na quajnë neve komshinjtë tanë maqedonas, këtë respekt kanë për neve: aq sa s'denjojnë të na thërrasin në emrin që i kemi vënë ne shtetit tonë, por në emrin që duan ata që ne të kemi. Pra, as u bëhet vonë hiç që Republika jonë nuk është më "Popullore", por thjesht Republikë, sepse s'jemi më një vend komunist. Kështu që ata i bëjnë të reja fringo tabelat e rrugës, por emrin e shtetit tonë e lënë të vjetër. ç'tu bëjmë ne këtyre gjitonëve tanë? Ne u themi "shëndet", ndërsa ata "plaç". Ne ua kemi thirrur atë shtetin e tyre anonim "Maqedoni" që në fillim krejt, kur ata filluan t'i mbushin mendjen vetes se janë pasardhës të Lekës së Madh (o tempora, o mores), pra që atëherë kur të tjerët i thërrisnin akoma FYROM, siç edhe e ka emrin zyrtar në OKB. Ndërsa ata na shtrembërojnë emrin zyrtar të shtetit tonë si pa të keq: Republikë Popullore na thonë. Ja, atje është ajo tabelë që na tregon akoma si shtet komunist, bën "mu" mu në sy të mijëra shqiptarëve të kësaj e asaj ane të kufirit, mu në sy të ministrave tanë që vizitojnë Shën Naumin, në sy të Lëvizjes "Pusho shqip" të "Zgjohu"-t të Shkupit, në sy të të gjithëve neve. Meqë shkruan ashtu pra, edhe neve as na luan qerpiku hiç, atëherë le ta gëzojmë pra Narodna Republikan e Shqipërisë! ...E të ngremë ndonjë dolli me ujë si në kohën e babait të asaj Republike. ...Që t'u bëjmë pra qejfin gjitonëve tanë aq nostalgjikë ndaj identitetit tonë komunist (sic!).
Do thoni ju, "epo, do jetë ndonjë lapsus në fund të fundit ajo tabelë, se tjetërkund në Maqedoni emri Shqipëri do jetë shkruar sakllam". Dashkeni shumë. Jo more të dashur Albanci, jo. Emri "Albanija" as ekziston hiç, në asnjë tabelë rruge në autostradat e gjitonëve tanë, të paktën rretheqark gjolit të Ohrit. Ne këtej kufirit në rrugën tonë kombëtare në Qafëthanë e kemi shkruar sa një mal: "MAQEDONI". Ndërsa ata hiç, përveç se atë Narodnan në Sveti Naum. Pra, udhëtarët që vijnë nga Shkupi, Tetova, a Gostivari, për në Ohër a Strugë, apo anasjellas, nuk gjejnë gjëkundi tabelën "Albanija". Gjëkundi. ...Por ama, në tërë atë rrugë ka një tabelë super të rëndësishme që ne Albancit duhet ta mësojmë mirë dreqi e mori: kur rruga që vjen nga Shkupi ndahet për Ohër apo Strugë, një tabelë na tregon se djathtas rruga shkon për në ...Kafasan. Kaq. Mjaft e kemi dhe kaq. Për Kafasan. Jo po dashkemi edhe tabelë që të tregojë se djathtas shkohet për në Albanija! Në fund të fundit, ç'soj udhëtarësh injorantë qenkan ata që nuk e ditkan që Kafasan është kufiri i Makedonija me Albanija?! I tillë injorant udhëtar i bie që isha edhe unë, ndaj e meritoja plotësisht ta humbisja rrugën, siç edhe e humba në fakt kur vija nga Shkupi me çoç miq studiues sllovakë, që u çuditën e lanë mendtë e kokës me tabelat Makedonski. Kujtova unë se kthesa për Kafasan ishte ajo për ndonjë fshat të humbur të Makedonijas, e ndaj m'i kaloi krejt tangent vëmendjes sime prej Albanci të urtë. S'ma hëngri hiç kaplloqja që kthesa për Kafasan qenkësh një kthesë e rëndësishme për mua Albancin e varfër që doja të shkoja në Albanijan time. E ç'është më e bukura, paskësha qenë aq trupeshk sa të kujtoja se në rrugën kryesore Shkup-Ohër Strugë do shikoja lehtësisht e të madhe tabelën me drejtimin "ALBANIJA" që të më tregonte mua apo miqve të mi turistë se si shkohet për në Shqipërinë gjitone. Jo or jo, hiç tabela andej, s'bëhej llaf! Vetëm një tabelë me Kafasan.
E, që të vazhdojmë me tabelat në Makedonija, nëse udhëtari ka qenë aq i zgjuar e fatlum sa që ta marrë me mend që Kafasan është sinonim i Albanija, dhe e ka marrë atë kthesën atje djathtas, dhe pastaj pasi ka dalë në fund fare të qytetit të Strugës, pra atje ku dihet që s'ka ku shkon tjetër përveçse në Albanija, ...vetëm aty në një tabelë do të lexojë ..."Tiranë". Aleluja! Aty udhëtari i pafat të marrë frymë thellë, sepse qenkësh në rrugë të mbarë për Albanija.
...Tani, do thoni ju, "mirë ne Albancit që po e marrkemi me mend tërë këtë enigmë rrugore me Kafasan, po si i bëhet për turistët jo-makedonski, të cilëve mund t'ua japë truri që të vijnë nga Makedonija për ndonjë vizitë turistike në Albanija?! Si do e gjejnë se ku duhet të kthehen që të arrijnë atje? Do ngatërrohen fakirët". Kështu thoni ju. E unë ju them "dashkeni shumë o Albanci; e pse duhet patjetër të vijnë në Albanija ata turistët?! Le të rrinë ore në Makedonija e të mos e lëvizin prapanicën hiç që atje e t'i harxhojnë eurot me pljeskavica aty". Ose, le ta gjejnë me GPS në fund të fundit ku bie Albanija. Jo po mos u dashka që Makedonskit të denjojnë të shkruajnë nëpër rrugët e tyre afër Albanijas këtë emër kaq jo simpatik?! Hiç fare nuk janë të detyruar. Ai që do e gjen rrugën vetë, me vullnet e këmbëngulje. Pikë. Me të pyetur ta gjejnë!
...Ah, më falni. Nuk ju sqarova se ç'dreqin është ky Kafasan or jahu. ...Megjithëse ore në fund të fundit, nëse nuk e keni kuptuar se ç'është, siç as unë nuk e kuptova, e meritoni edhe ju të ngatërroni rrugën e të mos e gjeni kurrë Albanijan tuaj. Gjithsesi merreni vesh njëherë e mirë që Kafasan është bastardimi maqedonisht i emrit Qafëthanë. Kështu. Pra, të dashur Albanci, Kafasan për Makedonskit do të thotë "rruga për Albanija, rruga për Tirana". Ndaj, mbani mend: Kafasan baraz me Tiranë. Kafasan Tiran. Kafasan Tiran. ...Hajt tani, mbushuni nga Makedonija. ...Ej, dobrodoshli prapë ë, e me euro me vete,...po ama rrugën e kthimit mbajeni mend vetë e mos ua tregoni turistëve të tjerë. Albanci të çuditshëm që jeni, doni edhe tabela rruge me "Albanija"... "Kafasan" dhe mjaft e keni. Hajt, marrsh për në Narodna Republika Albanija!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›