E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Piero: S'ka duel me Diegon, të gjithë janë të rëndësishëm



Në 18 vite te Juventusi, Alesandro Del Piero, ka përjetuar shumë momente si ky. Shumë polemika në mes, të cilat i ka zhdukur menjëherë me një "magji" në fushën e gjelbër. Kështu ndodhi edhe në sfidën e së enjtes, e vlefshme për turnin e tretë paraeliminator të Ligës së Evropës kundër Shamrok Rovërs: kësaj here në qendër të vëmendjes ishte dueli me Diegon. Megjithatë kapiteni i bardhezinjve dëshiron të shijojë sa më shumë suksesin që i dhuroi skuadrës falë golit të shënuar kundër irlandezëve. "Nuk di sesi ta përshkruaj atë që ndjej, jam me të vërtetë shumë i lumtur që arrita të shënoj, në radhë të parë ngaqë i dhurova fitoren ekipit dhe pastaj për veten time! Kjo do të thotë që jam ende i dobishëm për Juventusin, që kam ende forcë për të qenë vendimtar, - ka deklaruar kapiteni i "Zonjës së Vjetër". - Zbrita shumë i qetë në fushën e gjelbër dhe kjo më ka ndihmuar së tepërmi. Trajneri më përgëzoi dhe duket se i pëlqeu paraqitja ime, më bëhet shumë qejfi që më dha besim dhe unë dita t'ia shpërbleja ashtu siç duhet. Tani duhet të vazhdojmë të fokusohemi te ndeshjet e radhës, edhe pse kemi ende shumë gjëra për të sistemuar në skuadër. Gjithsesi, unë shpresoj që të shënoj akoma edhe më shumë dhe të jem vendimtar për Juventusin tim". Më pas Del Piero ka dashur t'u japë fund thashethemeve dhe polemikave që sipas tij janë të pavërteta lidhur me një duel të brendshëm te Juventusi, që ka protagonistë pikërisht atë dhe brazilianin Diego: "Dueli me Diegon nuk më shqetëson, sepse trajneri e ka shprehur edhe më parë që unë dhe ai kemi karakteristika të ngjashme dhe nuk mund të luajmë së bashku. Pikërisht për këtë arsye Del Neri e di fare mirë se kur duhet të jem unë në fushë dhe kur duhet të jetë Diego. Sezoni sapo ka filluar dhe tani në ekip asnjëri nuk shqetësohet për duele, ne mendojmë vetëm sesi të përmirësohemi sa më shumë të jetë e mundur. Zgjedhjet janë në dorë të trajnerit dhe ai e di se çfarë është më e mira për skuadrën. - Festimi pas golit ka qenë një përgjigje? - Jo, aspak. Unë festova sepse isha i lumtur, por nuk iu përgjigja askujt. Ishte thjesht gëzim që arrita të shënoja, që fituam duke kaluar në fazën tjetër. Nuk kam asgjë tjetër për të thënë, pasi te Juventusi janë të gjithë të rëndësishëm. Jemi në rritje të vazhdueshme si lojtarët ne veçanti, ashtu edhe skuadra në grup. Jemi vetëm në fillim të sezonit, por synojmë që të rikthehemi skuadra që kemi qenë dikur".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›