Pushteti lajthit komplet/ Sherefedin Shehu: Janë manipuluar votat në Dibër
Kandidati i PD-së në Dibër, ku rezultatet paraprake flasin për një ndarje mandatesh në 3 me 3 për secilin nga koalicionet, Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, Sherefedin Shehu, ka akuzuar Partinë Socialiste dhe atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim se kanë manipuluar procesin zgjedhor të 23 qershorit.
Ai ka vijuar më tej duke specifikuar edhe metoda të sofistikuara të përdorura prej tyre në manipulimin e këtyre zgjedhjeve, pasi sipas tij nuk është e shpjegueshme kjo rritje e jashtëzakonshme e përkrahjes në përqindje, në rang kombëtar, ndaj Partisë Socialiste, me kryetar Edi Ramën, dhe LSI-së, me kryetar Ilir Metën, të cilët hynë si një koalicion i përbashkët opozitar në garë, kundrejt koalicionit të udhëhequr nga partia në pushtet, PD e Sali Berishës.
Deri tani, nga rezultatet paraprake të KQZ-së, rezulton se koalicioni i djathtë nuk ka mundur të kryesojë në asnjë nga 12 qarqet e vendit, duke humbur 10 prej tyre dhe duke u ndarë në barazim në Kukës dhe Dibër./TCH