Berisha nis nga Mirdita “Foltoren e dytë”: Beteja e jetës sime për të shpëtuar Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zgjedhur Mirditën për të çelur siparin e asaj që ai e pagëzoi si “Foltore e Dytë”. Në një takim me demokratët dhe qytetarët vendas, Berisha deklaroi se nëse lëvizja e vitit 2021 shërbeu për të shpëtuar Partinë Demokratike, kjo e sotmja është një betejë ekzistenciale për shpëtimin e kombit, familjes dhe demokracisë.
Lideri demokrat vlerësoi rezistencën e mirditorëve, duke i cilësuar ata si “shembull frymëzimi për të gjithë Shqipërinë”. Sipas tij, fakti që Mirdita e ka ndëshkuar me votë Kryeministrin Edi Rama në dy procese zgjedhore radhazi (lokale dhe të përgjithshme), tregon qartësinë politike të kësaj zone.
“Vij tek ju me ndjenjat më të thella të mirënjohjes. Ju jeni shembulli i guximit të njeriut për t’u ndarë nga e keqja dhe mençurisë për t’i dhënë asaj që meriton. Drita e së vërtetës ju priu ju për të ndëshkuar me votën tuaj këtë të keqe të madhe që ka pushtuar vendin,”, u shpreh Berisha.
Duke bërë dallimin mes lëvizjes së mëparshme dhe aksionit aktual opozitar, Berisha theksoi rëndësinë kritike të momentit politik.
“Kjo është foltorja e jetës sime. Nëse me foltoren e parë ne shpëtuam PD-në, kur po bëhej gjithçka që Shqipëria të mbetej pa opozitë ose me një ‘kallp-opozitë’, kjo e sotmja është për demokracinë dhe për Shqipërinë,”, theksoi ai.
Pjesa më e madhe e fjalimit të Berishës u fokusua tek akuzat ndaj qeverisjes 12-vjeçare të socialistëve. Berisha e cilësoi Ramën si “pushtuesin më të egër në histori“.
“Mbyllni sytë dhe kujtoni fshatrat e bukura të Mirditës: ku janë njerëz, ku janë nxënësit, ku janë fëmijët? Në 10 vite jemi zhbërë sa kurrë në ekzistencën tonë. Sot kemi atë shtesë popullate që kishim 100 vite më parë, kur ishim gjithsej 700 mijë vetë. Nga viti 2018 vdekjet tejkalojnë ndjeshëm lindjet. Me këtë ritëm, ne ecim drejt shfarosjes,”, theksoi kreu i PD.
Berisha akuzoi Kryeministrin Rama për një “urrejtje gjenetike ndaj veriut të Shqipërisë”, duke bërë një paralelizëm të fortë me regjimin komunist.
Ai theksoi se megjithëse Enver Hoxha i persekutoi mirditorët, diskriminimi ekonomik që po u bën Rama është i paprecedentë.
“Enver Hoxha, për shkak të qëndresës antikomuniste, pushkatoi dhe burgosi qindra mirditorë. Por ama, diskriminimin absolut që i ka bërë Edi Rama Mirditës dhe veriut në tërësi, nuk ia ka bërë kush kurrë. E ndaloi kohën, pa investime në Mirditë, Shkodër, Kukës, Tropojë e Peshkopi,”, tha Berisha, duke denoncuar edhe zvarritjen e punimeve në Rrugën e Arbrit dhe abuzimet me tenderat.
/rtsh.al/