E Martë, 3 Nëntor 2026

Putin akuza Ukrainës: Po provokon në shkallë të gjerë, sulmon pa dallim

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sot Kievin për “provokim në shkallë të gjerë” dhe sulme pa dallim në rajonin e Kurskut, ku Moska pretendon se po lufton kundër inkursioneve nga trupat ukrainase që nga e marta.

“Regjimi i Kievit ka ndërmarrë një tjetër provokim në shkallë të gjerë, duke kryer të shtëna pa dallim nga lloje të ndryshme armësh, përfshirë raketa, në ndërtesa civile, ndërtesa banimi, ambulanca” tha Putin në një mbledhje të qeverisë në Moskë.

Duke shprehur se do të zhvillojë gjithashtu një takim me krerët e agjencive të zbatimit të ligjit dhe zyrtarë të lartë ushtarakë për situatën në Kursk, Putin tha se urdhëroi agjencitë civile që të ofrojnë ndihmën e nevojshme për banorët e rajonit.

Një ditë më parë, Rusia pretendoi se deri në 300 trupa ukrainase përfshirë 11 tanke dhe më shumë se 20 automjete të blinduara luftarake, sulmuan pozicionet e saj ushtarake pranë dy vendbanimeve kufitare ngjitur me rajonin Sumy të Ukrainës.

Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes tha se përleshjet midis trupave ruse dhe forcave ukrainase vazhduan gjatë natës, duke shtuar se forcat e saj nuk e lejuan Ukrainën të përparonte thellë në territorin rus.

Të paktën pesë persona kanë vdekur që nga fillimi i përleshjeve në rajon, sipas deklaratave të guvernatorit në detyrë të Kurskut, Alexey Smirnov.

Ndërkohë, Alexey Kuznetsov, nënkryetari i Ministrisë së Shëndetësisë, tha se 24 persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u plagosën nga bombardimet ukrainase. Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar ende pretendimet e Rusisë dhe verifikimi i pavarur është i vështirë për shkak të luftës në vazhdim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›