Putin po kultivon personalitetin e një lideri

Vetë presidenti, që pas një manovre ligjore të kritikuar ashpër nga opozita ruse, siguroi mandatin e tretë (pas dy të parëve radhazi) do të udhëtojë drejt qytetit të lindjes, Shën Peterburg, ku do të organizohet një ceremoni festive me familjarët dhe miqtë, përfshirë këtu bashkëpunëtorët ndërkombëtarë, ndoshta edhe ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi.
Por veç kësaj, jetë të gjatë “carit” do t'i urojnë të gjithë rusët, nga Kaliningradi në perëndim, e deri në Vladivostok në kufi me Korenë e Veriut dhe Kinën në lindje. Në shumë qytete pritet të mbahen koncerte dhe panaire të ndryshme, ku veç urimeve do të ofrohen edhe dhuratat për presidentin.
Ndërsa televizionet pranë pushtetit rus pritet të transmetojnë një dokumentar mbi jetën e Putinit, që nga lindja, vitet e angazhimit në agjencinë e inteligjencës së ish-Bashkimit Sovjetik KGB, ngjitja në krye të Kremlinit, më 31 dhjetor të vitit 1999, udhëheqja për dy mandate radhazi e Rusisë, lëshimi i presidencës për katër vjet në duart e Medvedev, e deri tek rifitimi i “besimit popullor” në zgjedhjet e fundit presidenciale.
Analistët dhe opozitarët rusë komentojnë festimet si përpjekje për kultivimin e kultit të personit në Rusinë post-sovjetike dhe një hap drejt një neo-diktature të Moskës.