Putin takon Erdoanin: Rusia gati ta rinovojë marrëveshjen për grurin, me kushte

Rusia pret nga Perëndimi që ta çlirojë nga sanksionet dhe të përmbushë disa kushte para se të rinovojë marrëveshjen për grurin nga Deti i Zi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, u takua të hënën (4 shtator) me homologun turk Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdogan).
Në konferencën e përbashkët nga qytetit i Soçit, presidenti Putin tha se vendet perëndimore e kanë gënjyer Rusinë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes.
Ai tha se një nga pengesat për akordin me Ukrainën do të mbetet çështja e gazit.
“Unë do të doja të theksoja se Rusia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një furnizues i besueshëm dhe i përgjegjshëm i gazit. Ne synojmë të vazhdojmë furnizimin e ekonomisë turke me karburant të lirë, por shumë efikas dhe miqësor ndaj mjedisit. Për më tepër, ne jemi të gatshëm të eksportojmë gaz në tranzit përmes Turqisë te konsumatorët në vendet e treta, kudo që partnerët tanë janë të interesuar,” tha Putin pas bisedimeve me presidentin Erdoan.
Russia mbetet e gatshme të plotësojë nevojat e Turqisë për grurë, shtoi presidenti Putin.
“Turqia është partner i rëndësishëm për ne. Turqia ka një industri të madhe të përpunimit të miellit, këtë e dimë, dhe do të përmbushim plotësisht nevojat e Republikës së Turqisë,” deklaroi presidenti rus.
Ai shtoi se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë po zhvillohen me sukses në të gjitha fushat dhe se takimi ishte i suksesshëm.
“Bashkëpunimi midis Rusisë dhe Turqisë, i cili bazohet në parimet e fqinjësisë së mirë, partneritetit dhe përfitimit të ndërsjellë, po zhvillohet me sukses në të gjitha fushat. Bisedimet e sotme, si gjithmonë, u mbajtën në një atmosferë konstruktive dhe biznesi,” tha Putin.
Sipas Putinit, prirja është për të përdorur monedhat kombëtare në marrëveshjet midis Rusisë dhe Turqisë, ndaj pjesa e euros dhe dollarëve do vijë duke u zvogëluar.
/rtsh.al/