E Diel, 1 Nëntor 2026

Pyetsori i KE, shqyrtohen edhe 6 kapituj

TIRANË- Komiteti Ndërministror i Integrimit mori të enjten në shqyrtim, 6 kapituj të tjerë të pyetësorit të Komisionit Evropian (KE) për Shqipërinë.
Kryeministri Sali Berisha informoi në fillim të mbledhjes se "deri tani janë shqyrtuar 21 nga 35 kapituj që ka pyetësori i KE-së".
"Kapitujt që shqyrtohen sot trajtojnë lëvizjen e lirë të kapitalit, shoqërinë e informacionit dhe mediat, tatimet, mjedisin, kontrollin financiar, dhe financat e buxhetin", tha Kryeministri Berisha.
Gjashtë kapitujt që do të merren sot në shqyrtim nga ky Komitet, kanë gjithsej 327 pyetje, pra i jepet përgjigje rreth 14 për qind të të gjitha pyetjeve të pyetësorit të Komisonit Europian.
Kreu i Qeverisë informoi se "për hartimin e këtyre përgjigjeve janë angazhuar rreth 30 institucione, ndërsa mbi 265 punonjës dhe zyrtarë të niveleve të ndryshme kanë marrë pjesë në hartimin dhe kontrollin e cilësisë së përgjigjeve.
Duke theksuar se po bëhet një punë intensive për përkthimin e Pyetësorit të KE-së, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "deri tani janë përkthyer 2249 faqe dhe 1565 shtojca". Në këtë drejtim, Kryeministri kërkoi që në Bruksel të dërgohet një tekst ku të shprehet qartë por në mënyrë të përmbledhur realiteti dhe vizionin i Shqipërisë.
"Përgjigjet tona duhet të jenë sa më konçize që të mos jenë të mundimshme për tu lexuar nga ata që do bëjnë vlerësimin dhe leximin e tyre", tha ai.
Pyetësori i Komisionit Europian, një praktikë që ky organizëm i dërgon çdo vendi që aplikon për statusin e vendit kandidat për në BE, iu dorëzua qeverisë shqiptare më 16 dhjetor 2009 nga Ambasadori i Delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, një muaj pas vendimit të 27 vendeve të BE-së për marrjen në shqyrtim të kërkesës së palës shqiptare.
Përgjigjet e Pyetësorit që do të jepen nga qeveria shqiptare do të jenë baza e opinionit që KE do të përgatisë për aplikimin për anëtarësim në BE, të cilin Shqipëria e paraqiti më 28 prill 2009.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›