E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufijtë e demokracisë

Para disa ditësh, grupi parlamentar i PS paraqiti dy nisma ligjore. Njëra ka të bëjë me ndryshime që lidhen në ligjin për komisionet hetimore, tjetra ka të bëjë me objektivat e një komisioni hetimor, që kërkohet të ngrihet për hetimin e zgjedhjeve të kaluara politike. Në realitet kjo është një çështje që po diskutohet prej muajsh në arenën tonë politike dhe që jo pak ka involvuar edhe komunitetin ndërkombëtar, është një çështje dhe diskutim i lidhur me një formë bojkoti, së fundmi të zbutur, që PS po mban ndaj Kuvendit të Shqipërisë. Duke parë tërë ecurinë e këtij procesi të jepet përshtypja se këtu kemi të bëjmë me një çështje politike, të cilës së fundmi vetë PS kërkon t’i japi dhe një veshje juridike. Pra, një kërkesë dhe qëndrimi të mëparshëm, tërësisht të bazuar mbi një strategji politike, sot kërkohet t’i gjendet dhe një argument juridik. Realisht, fakti i kësaj tendence për të kaluar nga hapësira e veprimtarive politike, veçanërisht të atyre të lidhura me bojkotin, në ato juridike brenda institucioneve, është një fakt pozitiv, është një fakt që tregon për më shumë racionalitet e realizëm, është një fakt që tregon se presioni i realizuar deri më sot për ta futur këtë veprimtari në shinat demokratike e institucionale nuk ka shkuar dem. Ky është një fakt që të bën më optimist për të ardhmen e qëndrimeve e veprimeve të opozitës.
Pa dyshim, kjo nisme ligjore do të shtrohet e diskutohet me shume seriozitet, brenda gjithë hapësirave që ka Kuvendi ynë e ligjet tona. Megjithatë, duke parë këto dy nisma unë do të desha të thosha diçka më të thelluar se kaq për ato.

Së pari, fakti që sot kërkohet të krijohet një baze ligjore për objektin e kërkuar prej kohesh nga PS për komisionin hetimor, flet për atë të vërtetë që kërkesa e deri me sotme e tyre nuk ishte e bazuar në ligj, pra është e pa realizueshme. Si e tillë mund, të them se kemi të bëjmë vetëm me një manovër politike e asgjë më tepër, manovër që synon të justifikojë bojkotin e Kuvendit, bazuar në shkaqe krejtësisht politike. Tashmë, tendenca për ta kaluar këtë çështje edhe në shina juridike, tregon se kjo e vërtetë në fakt po pranohet dhe nga socialistët. Sidoqoftë e ritheksoj, se sot për sot, këtu kemi të bëjmë vetëm me një ndryshim pozitiv taktik momental të asaj force politike. Le të shpresojmë në ndryshime strategjike të mëtejshme e afat gjata të saj.

Së dyti, do të doja të thellohesha më tepër në përmbajtjen e këtyre nismave. Aktualisht ne kemi një legjislacion të mirë dhe një eksperiencë të gjatë për komisionet hetimore të ngritura në këto vite. Kemi qëndrime të Gjykatës Kushtetuese për këto veprimtari, pra mendoj se ka një kuadër që nuk lë vend për interpretime e hamendje, gjë që bën krejt të mundshme ngritjen e atij komisioni, brenda këtyre principeve të domosdoshëm. Demokracia si kudo dhe te ne zhvillohet brenda disa kufijve, pa të cilët nuk do ishte demokraci, por anarshi. Dhe, këta kufij ne i kemi vendosur të gjithë së bashku. Rëndësi ka t’i respektojmë, se ndryshe dalim nga hapësirat demokratike.

Ndërsa në lidhje me nismën ligjore, nismë e cila synon të krijoi mundësinë e rinumërimit të votave, mbasi procesi zgjedhor ka përfunduar e është certifikuar tërësisht, dua të them se kjo është së paku një lajthitje juridike e politike. Me këtë material kërkohet të të jepet përshtypja se po bëhen përpjekje për të rritur hapësirat e transparencës e kontrollit mbi zgjedhjet. Por, po ta vështrosh më me vëmendje, duket se ai në të vërtetë vetëm kërkon të justifikojë disa muaj bojkoti absurd. Megjithatë, dhe kjo është gjysma e së keqes. Kjo, sepse ky projekt ligj është krejtësisht i papranueshëm si i rrezikshëm për stabilitetin e vendit e të institucioneve në afatgjatë. Hartuesit e tij, të cilët besoj se janë koshientë të kësaj, duhet së pari të na thonë se çfarë modeli të vendeve demokratike kanë marrë për bazë. Unë nuk di të ketë ndonjë të tillë. Përkundrazi, vende shumë më të zhvilluara se ne, apo dhe të tjera, disa herë edhe pa përfunduar tërësisht procesi kanë evituar te tilla ndërhyrje, për efektet negative që mund të krijoheshin. Jo më të rihapesh një proces të përfunduar. Kjo mund të ndodhi vetëm në mënyra të kufizuara, mbi një vendim të posaçëm të prokurorisë apo të organeve të tjera kompetente të drejtësisë, e bazuar mbi elemente ligjor mirë të përcaktuar, gjë që realisht parashikohet në legjislacionin aktual shqiptar. Të ligjërosh dhe të thjeshtësosh rinumërimin si rutinë, kur një proces zgjedhor ka përfunduar e është certifikuar, aq më shumë jashtë sistemit të drejtësisë, përveç non sensit juridik apo kontradiktës me ndarjen e pushteteve, politikisht është një lloj si të kërkosh të “lësh jashtë litarin”. Kjo do të thotë të mos kesh jo vetëm nocione juridike, por as politike, në lidhje me përcaktimet Kushtetuese të pushteteve të pavarura, të stabilitetit te qeverisjes dhe të institucioneve, të konceptit te mbylljes se proceseve e zhvillimit te reformave në një vend. Dhe, këtu nuk flitet për një maxhorancë apo opozitë të veçantë, këtu flitet për një princip afat gjatë mbi të cilin ndërtohen institucionet e bazohet stabiliteti i një vendi. Të futesh në këtë kurth të rrezikshëm, siç propozohet nga PS, do të thotë të kërkosh ta bësh demokracinë amulli e anarki, të kërkosh të dalësh dukshëm nga kufijtë e rregullat e saj. Dhe, këta kufij janë ndërtuar mbi principe universale të proceseve zgjedhore, mbi eksperienca të shumta e te shumëllojshme, që duhen respektuar e pasur nga ne si busull në ndërtimin e kuadrit tonë ligjor, veçanërisht kur bëhet fjalë për procese kaq delikate siç është ai zgjedhor. Sidoqoftë, është më mirë që kur nuk duam apo nuk mundim realisht ta përmirësojmë këtë kuadër, së paku le të mos përpiqemi të shkatërrojmë atë që kemi ndërtuar deri më sot.
(GSH/BALKANWEB)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›