E Diel, 1 Nëntor 2026

QE NE T‘U PARAPRIJM FATKEQESIVE NATYRORE

Flakët e zjarrit që përfshinë vendin në vitin 2007 dhe tragjedia e marsit 2008 në Gërdec (një fshat pranë Tiranës), asnjëherë më parë nuk na kanë bërë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e një ekipi të formuar dhe të përgatitur të Emergjencave Civile. Nuk do doja të ndalem për të treguar vështirësitë me të cilat janë ndeshur njerëzit tanë në përballimin e këtyre ngjarjeve ekstreme. Edhe pse me kushtet që kemi, do të ishte gati i pamundur një mision i tillë. Por ne arritëm t‘i përballojmë, duke shpëtuar jo vetëm jetë njerëzish, por edhe duke riparuar shpejt pasojat e tyre.

Për fat të keq, Shqipëria është mjaft e ekspozuar edhe përballë një numri të konsiderueshëm fatkeqësish natyrore. Tërmetet janë një kërcënim serioz për jetën civile, por kohët e fundit kanë qenë mjaft evidente edhe zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet e tokës apo emergjencat dimërore, të vogla, të mesme ose edhe më shumë. Nisur nga gjendja ekonomike, infrastruktura, mjetet e kufizuara të komunikimit, emigrimi masiv, bumi i ndërtimeve, por edhe një numër faktorësh që lidhen me shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore, e bëjnë më të prekshme popullsinë dhe ekonominë e saj ndaj këtyre dukurive. Në këto kushte, sfidat e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile (DPEC), janë të vështira dhe shpesh gati-gati të paparashikueshme. Me një përvojë 10-vjeçare, DPEC ka synuar të rrisë nivelin e bashkërendimit të veprimeve në fushën e emergjencave civile, në mënyrë që të parandalohen dhe të zvogëlohen humbjet në njerëz, në banesa, në asete ekonomiko-sociale dhe në mjedis.

E, për t‘u paraprirë ngjarjeve tragjike, puna e DPEC konsiston në rritjen në nivel më të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve, pronës private e publike, përmes zhvillimit të masave sa më efektive gjatë procesit të parapërgatitjes, të parandalimit të fatkeqësive dhe emergjencave, rritjes së shpejtësisë së reagimit për shpëtimin e jetës dhe mbrojtjen e pasurisë, ashtu si edhe lehtësimit të pasojave. Ndaj dhe Sistemi i Menaxhimit të Emergjencave Civile në Shqipëri (SMEC) përbëhet nga struktura të përhershme e të përkohshme në nivel qendror, qarku dhe lokal. Përmes tyre, çdo ministri, drejtori ose institucion, aktualisht, ka rol dhe përgjegjësi të veçantë për të gjitha fazat e ciklit të menaxhimit të emergjencave. Ato shpesh ndahen ndërmjet dy ose më shumë institucioneve, që marrin pjesë në fazat e ndryshme të menaxhimit të emergjencave. Për një bashkërendim sa më funksional, gjatë situatave emergjente, përfshihen institucione shtetërore dhe jo shtetërore, me role dhe të përgjegjësive të përcaktuara me ligj dhe akte të tjera nënligjore. Por megjithëse kuadri ligjor i ngarkon këto struktura të përfshihen në përballimin e situatave emergjence duhet thënë se shumë herë ky bashkëpunim ka lënë për të dëshiruar.

DPEC, gjatë kësaj periudhe, për të përballuar situatat emergjente të krijuara ka bashkëpunuar ngushtë me strukturat homologe rajonale e ndërkombëtare. Jam i bindur që, në shumë raste (sidomos për zjarret në pyje) ky bashkëpunim ka rezultuar më se i suksesshëm.

Nëpërmjet marrëveshjeve të nënshkruara, DPEC bashkëpunon ngushtë edhe me Shërbimin e Mbrojtjes Civile Italiane dhe Greke. Është në përfundim, ndërkaq, nënshkrimi i marrëveshjeve me shërbimet homologe turke, kroate, maqedonase, malazeze etj. Jemi pjesë e disa nismave rajonale të Europës Juglindore, si DPPI, CMEP, SEESIM etj., kemi lidhje të vazhdueshme me Qendrën e NATO-s në Bruksel (EARDCC) dhe atë të BE (MIC) dhe bashkëpunojmë me shërbimet homologe të shumë shteteve europiane. Për të mbetur në këtë fushë, dëshiroj të theksoj gjithashtu bashkëpunimin me Bankën Botërore, e cila me zbatimin e projektit AL-DRMAP ("Përballimi dhe zbutja e rrezikut nga fatkeqësitë") ka mbështetur fuqishëm rritjen e kapaciteteve planifikuese dhe reaguese të EC-së dhe të të gjithë sistemit të Shërbimit të Mbrojtjes Civile Shqiptare.

Projekti që u paraprin ndryshimeve

Programi i Bankës Botërore ka parashikuar një projekt specifik për Shqipërinë. Projekti, i pari në rajon, është parashikuar në dy faza. Faza e parë është parashikuar të realizohet për një kohë prej tre vjetësh, ndërsa e dyta, pas tre viteve të fazës së parë, synon ndërhyrjen kryesisht me investime të konsiderueshme në strukturat e shërbimit të emergjencave civile. Ky projekt do të udhëhiqet nga Ministria e Brendshme, ku është ngritur një Komitet Drejtimi i Projektit, për të siguruar koordinimin midis sektorëve dhe për të monitoruar progresin e tij. Nga ana tjetër, është krijuar edhe Grupi i Menaxhimit të Projektit në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, detyra e të cilit është menaxhimi në tërësi i projektit.

Objektivi kryesor i projektit konsiston në forcimin e kapaciteteve institucionale, reduktimin e rreziqeve, e veçanërisht të jetëve njerëzore, ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit. Në të parashikohet edhe rritja e nivelit profesional të personelit të strukturave të shërbimit të emergjencave civile, si dhe hedhja e një baze të mirë, përmes studimeve dhe projekteve për realizimin e fazës së dytë të projektit. Në projekt ka indikatorë në fushën legjislative, të arritjes së standardeve, ngritje dhe nxitje së sistemit të sigurimeve në fushën e emergjencave dhe fatkeqësive, rritje të kapaciteteve dhe shpejtësisë së realizimit të operacioneve të ndërhyrjes së shpejtë në përballimin e emergjencave specifike, sipas një harte të studiuar rreziku. Për secilin komponent ka përgjegjësi konkrete nga institucionet dhe konkretisht, këto përgjegjësi ndahen midis Ministrisë Brendshme, Institutit të Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, Ministrisë së Punëve Publike dhe asaj të Financave, që për herë të parë marrin angazhime për ngritjen e tregut të sigurimeve në vend. Për raste fatkeqësish, tregu i sigurimeve është ende i kufizuar, por edhe mundësitë e shtetit për të mbuluar humbjet nuk mund të jenë të pakufizuara. Për këto arsye, nëpërmjet një fondi që jepet në formë huaje nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Shqipëria përfshihet dhe pritet të përfitojë financime në vazhdimësi për raste të tilla, përmes një institucioni ndërkombëtar sigurimi.

Një pikë e rëndësishme e këtij projekti është hartimi i Strategjisë Ndërministrore të Mbrojtjes Civile nga Fatkeqësitë. I gjithë kuadri i përmirësimeve ligjore e nënligjore për mbrojtjen civile dhe fatkeqësitë, do të shoqërohet me hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes Civile nga Emergjencat dhe Fatkeqësitë, e cila do të rikonceptojë principet, bazën e re ligjore dhe nënligjore, drejtimet e politikës sektoriale dhe zhvillimet në mbrojtjen nga emergjencat dhe fatkeqësitë. Po ashtu, do të kryhet fuqizimi dhe modernizimi i sistemit të shërbimit të mbrojtjes e menaxhimit të fatkeqësive natyrore, ose ato të shkaktuara nga dora e njeriut. Rol të rëndësishëm do të ketë edhe përshtatja me shërbimet analoge të BE-së.

Pjesa më e rëndësishme e hartimit të kësaj strategjie do të jetë zbatimi i projektit të "Sistemit të Integruar të Komunikimit dhe Alarmit me sinjal 112". Ky sistem është një numër i njësuar emergjence në shumë vende të BE-së, i miratuar si i tillë më 29 korrik 1991, me vendim të Këshillit të Europës dhe i ratifikuar nga Parlamenti Europian, përmes direktivës 98/10/EC, më 26 Shkurt 1998. Si i tillë, edhe për Shqipërinë lind detyrimi i aplikimit të këtij sistemi. Objektivi kryesor është që qytetarët e Shqipërisë, si ata të Europës, në situata të ndryshme emergjente të kenë mundësi të telefonojnë falas, duke siguruar mbështetjen e shërbimeve të emergjencave në të gjithë territorin e vendit, 24 orë në 24. Ngritja e 3-6 qendrave logjistike për mbrojtjen civile nga emergjencat dhe fatkeqësitë e 3-6 njësive reaguese (brenda vitit të parë të projektit) është masa kryesore që do të mundësojë mbylljen e ciklit të menaxhimit të emergjencave.

Ndryshimi i kuadrit ligjor si domosdoshmëri

Më 26 Mars të vitit 2001, Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin nr.8756, "Për emergjencat civile", i pari në historinë e legjislacionit shqiptar në këtë fushë. Ligji mbështetet edhe nga ai "Për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin", i rikonceptuar mbi një bazë të re bashkëkohore, duke e shkëputur këtë shërbim nga Policia e Shtetit dhe duke i shtuar konceptin e shpëtimit. Shqipëria tashmë është vend anëtar i marrëveshjes më të madhe në historinë e vendeve euroatlantike, NATO, e si i tillë duhet të unifikojë ligjet dhe infrastrukturën mbështetëse me anëtarët e tjerë nënshkrues të Traktatit. Integrimi europian, veçanërisht implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe Planit Kombëtar për Implementimin e MSA-së, në këtë fushë, dikton rishikimin e bazës ligjore dhe përshtatjen e saj me shërbimet homologe rajonale e më gjerë. Rritja e investimeve publike e private kërkon monitorimin e zonave zhvillimore. Për zvogëlimin e riskut duhet të merren masa parandaluese dhe rehabilituese në infrastrukturë, mjedis dhe prona publike e private. Rritja e gamës së emergjencave, duke ndryshuar si në lloj, edhe në natyrën, dikton zhvillimin e kapaciteteve të reja reaguese, në formë, përmbajtje e në mjete të sofistikuara. Këto ndryshime duhet të shoqërohen edhe me ngritjen e strukturave të reja, si njësi speciale të përgatitura dhe mirëtrajnuara, me mjetet e nevojshme për t‘u përballur në kohë dhe me efikasitetin e duhur. Këto ndryshime janë bërë jetike tashmë që vendi ynë është bërë pjesë e guidave turistike të Europës Juglindore. Strukturat tona duhet të jenë të gatshme të ofrojnë siguri, jo vetëm për qytetarët e tyre, por edhe për vizitorët e ndryshëm. Ndaj, duhet ndryshuar baza ligjore dhe të rriten kapacitetet reaguese.

Një tjetër kërkesë, e diktuar nga koha në përafrimin e legjislacionit ekzistues me atë europian, është se Shërbimi ynë bashkëpunon me shërbimet homologe rajonale dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare dhe në këtë fushë ne kemi detyrime që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së, si dhe direktivat e Komunitetit Europian. Në këto kushte, është i domosdoshëm rishikimi jo vetëm i legjislacionit, por edhe përmirësimi i të gjithë sistemit të shërbimit të mbrojtjes civile, duke e ngritur atë në një stad më të ri bashkëkohor europian dhe ndërkombëtar. Qëllimi i përmirësimeve ligjore është dhe mbetet të nxisë e të arrijë forcimin e kapaciteteve të strukturave të mbrojtjes civile, të institucioneve publike, përgjegjëse për menaxhimin e risqeve nga fatkeqësitë. Ndaj, në ligjin e ri, DPEC është parashikuar të kthehet në Agjenci Kombëtare, me më shumë frymëmarrje e mundësi veprimi e reagimi përmes strukturave të saj rajonale, me komandim vertikal. Kjo do të rrisë sigurisht përgjegjësinë, por njëherazi do të mundësojë përballimin më të mirë të situatave emergjente. Pikërisht, për të gjitha këto arsye, zbatimi i projekteve të nisura nga partnerët tanë dhe ndryshimi i kuadrit ligjor janë kthyer në një domosdoshmëri jetike për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, që në të ardhmen, fatkeqësitë natyrore dhe njerëzore të mos kthehen në tragjedi.

* Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›