E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olli Rehn: Qeveria të zgjidhë krizën politike

Komisioneri për zgjerimin europian, Olli Rehn, pret që qeveria e re në Shqipëri të zgjidhë situatën politike që u krijua pas zgjedhjeve të qershorit me vendimin e opozitës për të qëndruar jashtë Parlamentit për sa kohë që nuk ka hetim të plotë të procesit të numërimit të votave. I pyetur mbi këtë çështje nga "Top Channel", komisioneri europian për zgjerimin në përgjigjen e tij nuk e përmend fare opozitën dhe as faktin e bojkotit të Kuvendit, por i drejtohet vetëm qeverisë së sapoformuar, duke i kërkuar të zgjidhë këtë sfidë politike. "Për Shqipërinë dhe sfidat e saj politike, unë besoj se qeveria e re do të mundohet ta zgjidhë këtë çështje që është e rëndësishme për kriterin politik të Kopenhagenit, dhe duhet parë si një shans tashmë për të rritur stabilitetin politik e në këtë mënyrë evoluimin e orientimit europian të Shqipërisë", theksoi Rehn. I pyetur për çështjen e zgjerimit të Bashkimit Europian, ai tha se "e di që ekzistojnë debate brenda Brukselit për çështjen e liberalizimit të vizave, ka pasur një aktivizim politik në favor të heqjes së vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, çfarë është për t‘u mirëpritur, por në të njëjtën kohë i bëj apel çdo aktori politik në këtë qytet se ne duhet të jemi të përgjegjshëm e të dëshmojmë se u qëndrojmë kritereve të besueshme rigoroze, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të bindur z. Shoibel, z. Hortefor dhe 25 kolegët e tjerë, pra ministrat e Brendshëm europianë, se është e besueshme hyrja në regjim pa viza me Maqedoninë, që ka bërë detyrat e saj në mënyrë të përkryer, Serbinë e Malin e Zi". Sapo të përmbushin kriteret, vijoi Rehn, do të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Shqipërinë dhe Bosnjën. "Por nuk duhet t‘i ndëshkojmë tre vendet e tjera që i kanë bërë gjërat siç duhet, duke i bërë konfuze çështjet, pasi rrezikojmë të mos kemi fare avancim të regjimit të lirë të vizave pastaj", u shpreh Rehn. Në dhjetor, ministrat e Brendshëm europianë do të vendosin përfundimisht për heqjen e regjimit të vizave ‘Schengen‘ me vendet e Ballkanit, pasi të shqyrtojnë propozimin e komisionit dhe raportin e Parlamentit Europian. Pak ditë më parë, Komisioni Europian prezantoi në Bruksel progres-raportin e vitit 2009 për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve edhe për Shqipërinë. Gjatë prezantimit, komisioneri i zgjerimit Oli Rehn tha se këto vende kanë njohur progres, por që përparimi nuk është i pakthyeshëm dhe se rreziku kryesor në rajon mbeten ato që Rehn i quajti fusha të minuara politike. Zgjidhja e vetme, tha Rehn, është çminimi i tyre. Në prezantimin e raportit janë vërejtur një sërë mangësish, edhe pse Shqipëria, sipas KE-së, ka bërë progres të dukshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›