E Shtunë, 31 Tetor 2026

QEVERISJA EKONOMIKE NE FOKUSIN E "NOBEL"-it

Pas jehonës që krijoi fitimi i çmimit "Nobel" për Paqen, nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, java e shpalljes së fituesve të këtij çmimi, për vitin 2009, u mbyll me fituesit "Nobel" në Ekonomi. Në fokus të dhënies së këtij çmimi ishte qeverisja ekonomike, përmes të rejave të sjella nga dy profesorë të mirënjohur amerikanë, e pikërisht: Elinor Ostrom, profesore në "Indiana University", Bloomington IN, USA, "Për analizën e saj të qeverisjes ekonomike (economic governance), veçanërisht për pronën e përbashkët; dhe, Oliver E. Williamson. profesore në "University of California", Berkley CA, USA, "Për analizën e tij të qeverisjes ekonomike (economic governance), sidomos për kufijtë e firmës".

Vlerat aktuale dhe për të ardhmen të punimeve të kryera nga dy nobelistët e rinj në ekonomi bëhen më të mëdha pas shumë problemeve e pikëpyetjeve që dolën në sistemin financiar ndërkombëtar dhe menaxhimin e pronës private në këtë sektor, si dhe të shumë shqetësimeve të tjera, të krijuara nga tronditja e madhe që ekonomia botërore po kalon, si rrjedhojë e krizës globale. Por më parë le të bëjmë një përshkrim të shkurtër të thelbit të punimeve të tyre …

Çfarë është çmimi "Nobel" në Ekonomi?

Ishte Banka Qendrore e Suedisë, që në vitin 1969, me rastin e 300-vjetorit të themelimit të saj, vendosi dhënien dhe financimin me fondet e veta të çmimit "Nobel" për shkencat ekonomike, që nuk e parashikonte testamenti i Alfred Nobel-it. Ky çmim jepet çdo vit për kontributet më të shquara me rëndësi praktike në fushat e ndryshme të ekonomisë.

Pra, për herë të parë, çmimi "Nobel" për shkencën ekonomike u dha në tetor të vitit 1969, e qysh atëherë vazhdon të jepet rregullisht çdo vit. Zakonisht, me këtë çmim në shkencën ekonomike janë laureuar autorët, punimet e të cilëve janë shquar për karakterin e tyre aplikativ dhe jo për teorizime të përgjithshme.

Nuk është e lehtë të bëhet një klasifikim i prerë i kontributeve të laureatëve të çmimit "Nobel", sipas probleme ose fushave të shkencës ekonomike, sepse shumë prej tyre kanë kontribuar në më shumë se një fushë ose problem shkencor. Megjithatë, studiuesit e specializuar mendojnë se kontributet më të rëndësishme në fushën e shkencave ekonomike janë nderuar me çmimin "Nobel", dhe u përkasin këtyre problemeve ose fushave kryesore:

1. Teorisë së ekuilibrit të përgjithshëm të ekonomisë;

2. Në fushën e makroekonomisë;

3. Në fushën e mikroekonomisë;

4. Në fushën e studimeve ndërdisiplinore;

a- shkencën ekonomike me atë politike;

b- shkencën ekonomike dhe sociologjike;

c- shkencën ekonomike me atë juridike dhe të organizimit;

ç- shkencën ekonomike me atë historike;

d- shkencën ekonomike dhe filozofike;

dh- shkencën ekonomike me atë psikologjike;

5. Në fushën e metodave të reja të analizës ekonomike.

Dhe sivjet, në vitin 2009, çmimi NOBEL në ekonomi i përket një problemi të ri…

Qeverisja ekonomike

Kjo është fusha e të rejave teoriko-shkencore, që meritojnë çmimin "Nobel" në ekonomi për këtë vit. Thelbi i prurjes së re, të sjellë me studimet e tyre për arritjen e këtij suksesi, konsiston pikërisht në:

- Elinor Ostrom, e cila është gruaja e parë që fiton "Nobel" në Ekonomi, ka demonstruar se si prona e përbashkët mund të menaxhohet me sukses nga shoqatat e përdoruesve. Fituesja e çmimit "Nobel" në Ekonomi ka sfiduar njohuritë tradicionale, sipas të cilave, pasuria e përbashkët është e menaxhuar keq dhe duhet të administrohet ose nga autoritetet qendrore ose të privatizohet. Bazuar në studimet e shumta të menaxhimit të rezervateve të peshkut, kullotave, pyjeve, liqeneve dhe baseneve të ujërave nëntokësore, Ostrom arriti në përfundimin se rezultatet janë, shpeshherë, më të mira se ato që parashikonin teoritë standarde. Ajo vëren se shpeshherë përdoruesit e burimeve që krijojnë mekanizma të sofistikuar të vendimmarrjes dhe të zbatimit të ligjit, për të zgjidhur konfliktet e interesave të ndryshme.

- Oliver Williamson, bashkëfituesi tjetër i çmimit "Nobel" në Ekonomi, ka zhvilluar një teori ku firmat e biznesit shërbejnë si struktura për zgjidhjen e konflikteve. Gjatë tri dekadave të fundit, këto studime kanë kontribuar në zhvillimin e qeverisjes ekonomike (economic governance) dhe zhvendosjes së saj nga periferia në qendër të vëmendjes shkencore.

Transaksionet ekonomike bëhen jo vetëm në tregje, por edhe brenda firmave, shoqatave, familjeve dhe agjencive. Teoria ekonomike tradicionalisht u ka kushtuar shumë vëmendje përparësive dhe kufizimeve të tregjeve dhe ka neglizhuar llojet e marrëveshjeve të tjera institucionale.

Kështu, Oliver Williamson ka argumentuar se tregjet dhe organizatat hierarkike, të tilla si firmat, përbëjnë struktura alternative të qeverisjes, që ndryshojnë në përqasjet e tyre për zgjidhjen e konflikteve të interesit. Pengesë e tregjeve është se ato shpeshherë stimulojnë pazarllëkun dhe mosmarrëveshjet. Dizavantazhi i firmave është se autoriteti, i cili kufizon pretendimet, mund të keqpërdoret. Tregjet konkurruese punojnë relativisht mirë, sepse blerësit dhe shitësit mund t‘u drejtohen partnerëve të tjerë tregtarë në rast se nuk bien dakord. Por, kur konkurrenca e tregut është e kufizuar, firmat janë më të përshtatshme për zgjidhjen e konflikteve se sa tregjet. Një parashikim i rëndësishëm i teorisë së Williamson, parashikim i vërtetuar nga përvoja, është se prirja e agjentëve ekonomikë për të kryer transaksionet e tyre brenda kufijve të një firme, shtohet me rritjen e karakteristikave specifike të aseteve të tyre.

***

Studimet e Elinor Ostrom dhe Oliver Williamson tregojnë se analizat ekonomike mund të hedhin dritë mbi format e organizimit shoqëror. Ato hapin një diskutim të ri për vitet e ardhshme në mendimin akademik e shkencor ekonomik botëror.

Me marrjen e çmimit "Nobel" në Ekonomi, Elinor Ostrom dhe Oliver Williamson rreshtohen në emrat e njohur fitues të këtij çmimi, që nga i pari në radhë, Jan Tinbergen (1969), Paul A. Samuelson (1970), Milton Fridman (1976), Richard Stone 1984) Merton H. Miller (1990), Robert E. Lucas, (1995) dhe Joseph Stiglitz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›