QIPRO – Macron: Projekti strategjik evropian FCAS nuk është në rrezik dështimi

NIKOZIA, 24 prill /ATSH-DPA/- Projekti i përbashkët franko-gjerman i avionëve luftarakë nuk ka dështuar, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron ne Nikozia, mes shqetësimeve se programi “Sistemi i së Ardhmes së Luftimit Ajror” (FCAS) mund të mos funksionojë.
I pyetur gjatë një samiti informal të liderëve të BE-së në Qipro nëse projekti FCAS, ku përfshihet edhe Spanja, kishte dështuar, Macron u përgjigj: “Jo, aspak”.
Ai shtoi se kishte zhvilluar bisedime konstruktive për këtë çështje me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
Sipas Macron, Ministritë e Mbrojtjes të të dy vendeve janë ngarkuar të punojnë mbi çështje dhe fusha të ndryshme gjatë javëve në vijim, duke theksuar se kjo nuk lidhet vetëm me FCAS-në, por me sigurinë evropiane në tërësi.
“Evropa nuk ka pasur kurrë më shumë nevojë për unitet, pavarësi më të madhe dhe sovranitet sesa tani”, u shpreh ai.
Një zëdhënëse e qeverisë gjermane konfirmoi se puna në Ministritë e Mbrojtjes do të përfundonte në javët e ardhshme.
Programi FCAS pritet të hyjë në operim në vitin 2040 dhe është projektuar të funksionojë në bashkëpunim me dronë, duke zëvendësuar përfundimisht avionët luftarakë “Eurofighter” të Gjermanisë dhe “Rafale” të Francës.
Nëse kjo realizohet, FCAS do të jetë projekti më i madh dhe më i kushtueshëm i armatimit në Evropë, me kosto totale që vlerësohen në qindra miliarda euro.
Megjithatë, kompanitë e përfshira – “Dassault Aviation”, “Airbus” dhe “Indra Sistemas” – nuk kanë arritur ende një marrëveshje për ndërtimin e avionit.
Bisedimet e fundit, të ndërmjetësuara nga dy ndërmjetës, nuk kanë prodhuar një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.
Një dështim do të përbënte një goditje të madhe për bashkëpunimin evropian në mbrojtje dhe marrëdhëniet franko-gjermane.
Duke folur në Nikozia, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha se vendi i tij dëshiron që projekti të ecë përpara.
Sipas tij, vështirësitë në nisjen e bashkëpunimit kanë qenë të dukshme, por Spanja nuk është problemi. //a.i/