Milito, një gol për ndeshje

Argjentinasi kishte marrë çmimin e padëshiruar pasi ishte votuar si futbollisti më i dobët në Serie A gjatë vitit 2011. Megjithatë, Milito iu kundërpërgjigj turpërimit me një rrebesh golash për Interin.
Me dy golat që shënoi të mërkurën në fitoren 2-1 ndaj Sienës, ai arriti në kuotën 17 nga po aq ndeshje të zhvilluara deri më tani gjatë vitit 2012. Këta gola janë realizuar brenda saktësisht 1543 minutash lojë, mesatarisht nga një çdo 90.7 minuta. Askush në Itali nuk ka bërë më mirë.
Sulmuesi i Napolit, Edinson Cavani ka shënuar 15 herë gjatë këtij viti, kurse ylli i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, një më pak, 14. Nga fillimi i këtij viti, Milito ka shënuar 16 gola në Serie A dhe një në Ligën e Kampionëve. Ish anëtari i Genoas ka arritur në gjithsejtë 20 gola në Serie A këtë edicion, aq sa ka edhe sulmuesi i Udineses, Antonio di Natale.
Listës i prin Ibrahimoviç me 23. Kjo është hera e gjashtë në karrierë që Milito ka shënuar së paku 20 gola brenda një sezoni në ligë.