E Shtunë, 31 Tetor 2026

QKK në Cottbus Film Festival

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Fatos Berisha, është ftuar zyrtarisht të jetë pjesëmarrës në Connecting Cottbus – East West Coproduction Market, që mbahet gjatë festivalit ndërkombëtar të filmit në Cottbus të Gjermanisë, i cili njihet si festivali më i rëndësishëm botëror për filmin e Evropës Lindore.

Connecting Cottbus, i cili mbahet më 3 dhe 4 nëntor, është treg i koproduksionit dhe ngjarja më e rëndësishme në Gjermani e llojit të tillë pas Berlinale Market dhe në fokus ka koproduksionin mes Evropës lindore dhe asaj perëndimore.

“Është hera e parë që QKK ftohet zyrtarisht të prezantohet në Cottbus, por edhe në Gjermani në përgjithësi. Do të jetë një rast shumë i mirë të prezantojmë punën tonë, filmat tonë të ri dhe të krijojmë kontakte për partnerë të ardhshëm në bashkëprodhim të filmave”, tha Fatos Berisha, drejtor i QKK-së para nisjes për Cottbus.

Ndërsa Arben Zharku, kryesues i Këshillit drejtues të QKK-së, theksoi: ‘Është pjesë e punës së përditshme të QKK-së të promovojmë qendrën tonë, filmat tanë, industrinë dhe vendin tonë si mundësi për xhirime të filmave nga jashtë dhe pjesë e strategjisë së re të prezantuar nga drejtori Berisha dhe të aprovuar nga Këshilli ynë, e ai është: hapja ndaj botës’.

Kohë më parë, filmi i shkurtër i mbështetur nga QKK ‘Kaseta e martesës’ ka fituar shpërblim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Abu Dhabi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›