QKUM: Ekipi i urgjencës territoriale i jep ndihmë të shpejtë tre personave të lënduar në Dukagjin

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Ekipi i urgjencës territoriale i dha sot ndihmë të shpejtë tre personave të lënduar.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore njoftoi se, sot, në fshatin Gimaj (Dukagjin), një automjet doli nga rruga duke shkaktuar tre persona të lënduar.
Menjëherë u aktivizua ekipi i urgjencës territoriale dhe, për shkak të terrenit të vështirë dhe gjendjes kritike të pacientëve, u angazhua njësia e transportit mjekësor me helikopter në bashkëpunim me dy ekipe të QKUM.
Pas vlerësimit, ndërhyrjes, stabilizimit dhe mobilizimit në vend dy pacientë në gjendje kritike u transportuan me helikopter drejt Spitalit Universitar të Traumës, Tiranë.
Një pacient me dëmtime të lehta u transportua drejt Spitalit Rajonal Shkodër.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore falënderon ekipet e urgjencës për profesionalizmin dhe reagimin e shpejtë si dhe i kujton qytetarëve që në raste emergjente të telefonojnë menjëherë numrin 127.
/gj.m/r.e//a.f/