E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUNT, gati shërbimi i trombektomisë për trajtime të avancuara neurovaskulare

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Prej katër ditësh, shërbimi i trobektomisë është i disponueshëm për pacientët në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT).

Ky investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shënon një hap të rëndësishëm në zgjerimin dhe modernizimin e shërbimeve të neuroradiologjisë intervenuese në vend.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi më herët se “instalimi i Angiografit Biplanar dhe krijimi i kabinetit të radiologjisë intervencionuese mundësojnë diagnostikimin dhe trajtimin endovaskular të insultit ishemik akut përmes trombektomisë mekanike, si dhe trajtimin e patologjive të tjera vaskulare e cerebrovaskulare, përfshirë aneurizmat, përmes procedurave të avancuara si angiografia digjitale me substraksion (DSA)”.

Prof. asc. Arben Rroji, shef i shërbimit të neuroradiologjisë diagnostikuese dhe intervencionuese në QSUNT, sqaron se shërbimi i Trombektomisë është në gatishmëri, duke ofruar trajtim të plotë dhe profesional për pacientët që do të kenë nevojë për këtë ndërhyrje.

Ai sqaron se, në vijim, kabineti do të zgjerojë gamën e trajtimeve edhe për patologji të tjera neurovaskulare, përfshirë aneurizmat, MAV-et dhe fistulat, të cilat aktualisht trajtohen me shumë profesionalizëm në shërbimin e neurokirurgjisë në QSUT

“Aktualisht jemi në kabinetin e angiografisë, që është pjesë e shërbimit të neuroradiologjisë intervencionuese dhe diagnostikuese, ku ne jemi përgatitur për të pritur pacientin e parë për trombektomi, e cila siç dihet është një patologji emergjence”, tha Rroji.

Prof. asc. Rroji nënvizoi se personeli dhe stafi mjekësor janë të gatshëm për ta realizuar këtë procedurë, e cila në QSUNT nuk ka alternativë tjetër përveç trombolizës.

Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të kapaciteteve, brenda vitit 2026 në shërbimin e neurokirurgjisë do të instalohet edhe akseleratori linear për trajtimin e pacientëve me tumore të trurit.

Me një potencial prej rreth 200 procedurash të avancuara endovaskulare në vit, angiografi biplanar dhe kabineti i radiologjisë intervencionuese forcojnë kapacitetet e QSUNT për trajtimin e patologjive komplekse neurovaskulare, duke sjellë në vend mundësi të reja për ndërhyrje të shpejta, të sigurta dhe të avancuara.

Ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt një sistemi shëndetësor më modern, më të specializuar dhe më pranë pacientit, duke sjellë në Shqipëri mundësi të reja për ndërhyrje të shpejta, të sigurta dhe të avancuara.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›