QSUNT, realizohet për herë të parë ndërhyrja miniinvazive për bajpas koronar te një 74-vjeçar

Në Shërbimin e Kardiokirurgjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) është realizuar për herë të parë një ndërhyrje miniinvazive për bajpas koronar, pa hapje të sternumit dhe pa ndaluar zemrën.
Pacienti 74-vjeçar iu nënshtrua operacionit përmes një miniincizioni prej vetëm 5 cm në hapësirën e pestë interkostale, duke shmangur teknikën klasike të hapjes së sternumit.
Në një video të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prof. asc. Altin Veshti deklaroi se kjo metodë inovative përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt kirurgjisë moderne kardiake, pasi redukton traumën kirurgjikale, shmang transfuzionin e gjakut dhe mundëson rikuperim më të shpejtë.
“Pacienti pritet t’i rikthehet jetës normale brenda pak ditësh,” theksoi ai.
Pacienti ishte paraqitur fillimisht në urgjencën e QSUT me infarkt të ventrikulit të djathtë. Në fazën akute, ekipi mjekësor vendosi një stent në arterien koronare të djathtë, duke stabilizuar gjendjen.
Më pas, sipas protokollit, u programua ndërhyrja për bajpasin koronar me arterien mamaria LAD, arteria kryesore e zemrës.
Kjo teknikë sjell përfitime të shumta për pacientët, më pak dhimbje pas operacionit, më pak komplikacione dhe kohë më të shkurtër rikuperimi.
Ky sukses konsiderohet një arritje e madhe për kardiokirurgjinë shqiptare dhe një hap përpara në aplikimin e teknikave bashkëkohore në sistemin shëndetësor publik.
/rtsh.al/