E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT- Urgjenca e Toksikologjisë në gatishmëri, Dëgjoni: Asnjë mungesë në medikamente dhe materiale mjekësore

Shërbimi i Toksikologjisë është në gatishmëri të plotë për të pritur fluksin në rritje të pacientëve gjatë verës me problematika si helmimet biologjike nga pickimet dhe kafshimet, helmimet ushqimore dhe problemet me përdoruesit e drogave.

Drejtoresha e re e QSUT-së, Rudina Dëgjoni, siguron se asnjë mungesë nuk do të ketë gjatë shërbimeve që do të ofrohen.

“Jemi në gatishmëri të plotë 24/7 si staf infermieror dhe mjekësor për çdo urgjencë, përfshirë këtu turistët, për të dhënë shërbimet e duhura. Kemi marrë të gjitha masat të mos mungojë asnjë medikament dhe asnjë material mjekësor që do të mbështesë shërbimin”, tha Dëgjoni.

“Ajo që është edhe më e rëndësishme është se asistenca mjekësore mbështetet me antidotet. Kemi pak, por janë jetëshpëtues. Jo pak në sasi, por pak në lloje. Kemi pak antidote që janë jetëshpëtuese. Sidomos për kafshimet nga merimanga e zezë, për të cilat kemi antivenomin, si dhe për kafshimet nga gjarpri, për të cilat kemi antiviperin”, tha Andrin Tahiri, shef i Toksikologjisë.

Shërbimi i Toksikologjisë ka 20 shtretër dhe, përveç urgjencave nga intoksikimet e ndryshme, trajton edhe pacientë të jashtëm, të cilët ndiqen sipas protokolleve për varësinë afatgjatë ndaj substancave narkotike.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›