E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet e huaja rriten në sektorët e informacionit, komunikimit dhe energjisë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Investimet e Huaja Direkte po vijojnë të orientojnë kapital drejt sektorëve me potencial të lartë zhvillimi në ekonominë shqiptare, ku informacioni dhe komunikimi, si edhe energjia, gazi dhe furnizimi me ujë, kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte në tremujorin e parë të vitit 2026 u rrit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sektori i informacionit dhe komunikimit regjistroi një rritje prej 64,3%, ndërsa sektori i energjisë elektrike, gazit dhe furnizimit me ujë shënoi një rritje prej 40,7%, duke u renditur ndër sektorët me performancën më të mirë për tërheqjen e investimeve të huaja.

Kjo ecuri pasqyron interesin në rritje të investitorëve për sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare dhe dëshmon potencialin e vendit për të tërhequr investime në aktivitete me vlerë të shtuar, duke forcuar konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Ndërkohë investimet e huaja direkte gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, shënuan rreth 404 milionë euro, ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›