Rimarkohet dhe pastrohet shtegu “Abazë–Lumi Dro–Mafsheq” në parkun natyror Qafështamë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Durrës kanë përfunduar punimet për rimarkimin dhe pastrimin e shtegut “Abazë–Lumi Dro–Mafsheq”, një nga itineraret natyrore që shtrihet në territorin e Monumentit të Natyrës “Gryka e Vajës”, pjesë e Parkut Natyror Qafështamë, njoftoi sot Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Ndërhyrja synon përmirësimin e kushteve për vizitorët dhe turistët që zgjedhin të eksplorojnë zonat natyrore, si dhe garantimin e orientimit dhe sigurisë përgjatë itinerarit.
Shtegu është i kategorisë me vështirësi të mesme dhe përshkon zona me pyje të dendura, duke ofruar një panoramë të pasur natyrore dhe biodiversitet të larmishëm.
Gjatë ecjes, vizitorët mund të shijojnë peizazhet karakteristike të zonës dhe praninë e bimës së maresë (Arbutus unedo), një nga elementet dalluese të florës së këtij territori.
Në pjesën qendrore të itinerarit, rrjedha e ujërave të kthjellëta të lumit Dro dhe relievi shkëmbor krijojnë një peizazh të veçantë, duke e bërë shtegun të përshtatshëm për aktivitete në natyrë, veçanërisht për ecje dhe eksplorim.
Rimarkimi dhe pastrimi i shtigjeve në zonat e mbrojtura është pjesë e punës për mirëmbajtjen e infrastrukturës natyrore dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve, duke mundësuar akses më të mirë në destinacionet natyrore dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm.
Parku Natyror Qafështamë, me pasuritë e tij natyrore dhe peizazhet e larmishme, vijon të jetë një hapësirë me potencial të rëndësishëm për zhvillimin e aktiviteteve të turizmit natyror dhe ecjes në natyrë.
1 nga 4/gj.m/j.p/