E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, “jo” zaptimit të pavijoneve nga familjarët

17/03/2010 Familjarët e pacientëve do të lejohen të vizitojnë të sëmurët vetëm në oraret e përcaktuara

Ndalohet kryerja e vizitave ambulatore pa rekomandim te shërbimet me shtretër

Kushtëzohen vizitat në spitale. Të afërmit e pacientëve do të duhet të respektojnë orarin e vizitave, në të kundërt do të ndiqen nga forcat e sigurimit që do të kontrollojnë hyrjet. Për vite të tëra, shërbimet shëndetësore në qendrën më madhe spitalore kanë vuajtur mungesën e rregullit për shkak të kaosit që krijohej nga zbarkimi i familjarëve të pacientëve në ambientet e pavijoneve, duke rënduar edhe më shumë gjendjen. Për të shmangur këtë problem, drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nxjerrë një urdhër të veçantë, që synon rritjen e nivelit të sigurisë në ambientet spitalore, duke shmangur mbipopullimet e panevojshme në pavijone. Duke pasur parasysh numrin e madh të personave të cilët qarkullojnë në shërbimet përkatëse, drejtoria ka urdhëruar shërbimet të ndërtojnë planin e qarkullimit të pacientëve dhe familjarëve sipas orareve të përcaktuara. Tashmë urdhri i firmosur nga kreu i këtij institucioni është afishuar në të gjitha hyrjet e pavijoneve. Në zbatim të këtij rregulli është bërë edhe mbyllja e 6 portave në godinat e spitaleve të ndryshme, në mënyrë që policia private të ketë mundësi të kontrollojë hyre-daljet e vizitorëve.

Vizitat

Respektimi i orarit të planifikuar do të jetë kusht për zhvillimin e vizitave në spitale. Sipas urdhrit të ri, të gjitha vizitat do të lejohen vetëm në orët e pasdites, sipas grafikut të shpallur për secilin pavijon. “Më këtë urdhër parashikojmë të ndalojmë trafikun e madh të familjarëve, të cilët shpeshherë zaptojnë pavijonet e dhomat e të sëmurëve. Këta persona do të lejohen të futen tek i sëmuri me orare të përcaktuara, konkretisht çdo ditë nga ora 17.00 deri në 19.00 dhe ditën e diel me një orar paradite nga ora 10.00 deri në 12.00”, ka pohuar gjatë ditës së djeshme drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi. Do të jetë policia private që nuk do të lejojë qarkullimin e vizitorëve jashtë këtyre orareve, ndërkohë që familjarët e kanë të afishuar urdhrin në derën e çdo pavijoni.

Përjashtimet

Përjashtim nga zbatimi i këtij urdhri do të bëjnë vetëm rastet që do të pajisen në mënyrë të argumentuar me “lejen e hyrjes”. Konkretisht, urdhri përcakton se do të lejohen jashtë këtyre orareve personat që kanë leje-hyrje të firmosur nga drejtuesi i shërbimit dhe kryeinfermieri. Pajisja me leje-hyrje për qëndrimin jashtë orareve të vizitorëve vlen edhe për rastet kur familjarët lejohen të qëndrojnë gjatë gjithë 24-orëshit, siç mund të jenë prindërit e fëmijëve të shtruar, por jo më shumë se një familjar i autorizuar. “Një tjetër masë shumë e rëndësishme që ne kemi parashikuar të marrim është moslejimi i kryerjes së vizitave dhe konsultave ambulatore në ambientet spitalore me shtretër si nga shefat e shërbimeve, ashtu edhe nga personeli”, ka shtuar Dashi. Në këtë mënyrë, konsultat ambulatore do të kryhen vetëm në vendet dhe oraret e përcaktuara, ashtu siç i parashikon sistemi i referimit.

Pagesat

Pacientët që do të paraqiten në dyert e spitaleve pa kaluar më parë te hallkat e tjera të sistemit shëndetësor, do të përballen me tarifa të larta të marrjes së shërbimit. Këto tarifa kanë pësuar rritje të konsiderueshme krahasuar me ato të aplikuara gjatë viteve të shkuara. Rritjes së tarifave për shërbimet mjekësore do ti nënshtrohen të gjithë pacientët që nuk do të respektojnë sistemin e referimit. Sipas këtij rregulli, çdo pacient do të paguajë çmimin përkatës, në rast se paraqitet në spital pa rekomandimin e mjekut të tij personal. Për një vizitë te mjeku i familjes do të paguhet 1000 lekë, tek ai specialist 15 mijë lekë, si dhe në spitale 20-3000 mijë lekë për të pasiguruarit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›