E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Spanjë, marrëveshje për krimin dhe terrorizmin

17/03/2010 Touron: Grupeve kriminale t’i goditet pasuria, janë rrezik për sigurinë kombëtare

Ina Rama vlerëson ndihmën e spanjollëve. Projekti do të vazhdojë

TIRANË- Prokuroria shqiptare dhe ajo spanjolle së shpejti do të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët për luftimin e terrorizimit, krimit të organizuar dhe shkëmbimin e informacionit me qëllim kryerjen e operacioneve të përbashkëta. Një gjë e tillë u bë e ditur gjatë takimit të zhvilluar dje mes Kryeprokurores Ina Rama dhe Kryeprokurorit spanjoll Cándido Conde-Pompido Touron. Ky i fundit ka deklaruar se krimi i organizuar është mbarë kombëtar dhe në këtë mënyrë të gjitha prokuroritë duhet të ndërtojnë një sistem bashkëpunimi për të luftuar eksponentët kriminalë. Gjithashtu Touron ka përmendur se e rëndësishme është që grupeve kriminale që veprojnë në dy shtetet respektove, t’i goditen edhe asetet ekonomike që rrjedhin nga të ardhurat e tyre të krimit. Gjatë bisedës për një bashkëpunim më të ngushtë mes palëve është prekur veçanërisht goditja e krimit të organizuar dhe lufta kundër terrorizmit, dy faktorë këta që aktualisht cenojnë jo vetëm sigurinë e brendshme të një shteti, por janë kthyer në një problem serioz për sigurinë globale. Touron nënvizoi se Prokuroria duhet të jetë shtyllë e shtetit të së drejtës, prandaj në punën e saj ajo duhet të kapërcejë burokracinë. Ndër të tjera Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës është njohur nga Kryeprokurorja Ina Rama me rezultatet e arritura në finalizim të projektit të binjakëzimit, i cili kishte për qëllim ofrimin e mbështetjes për Prokurorinë e Përgjithshme në kryerjen e inspektimeve dhe vlerësimin e prokurorëve e trajnimin e oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ndërkohë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp palët ranë dakord për vazhdimin e eksperiencës së krijuar deri më tani dhe ngritjen në nivel më të lartë të bashkëpunimit që ekziston prej gati 2 vitesh. Në konferencë Kryeprokurori spanjoll deklaroi se drejtësia shqiptare duhet të thellojë disa reforma, një nga to është edhe zgjidhja e çështjes së gjyqësorit. I pranishëm në konferencë ka qenë edhe ambasadori spanjoll Montobio, i cili ka bërë thirrje për respektimin e ligjeve nga të gjithë, pa pasur dallime se çfarë pozicioni ka personi përgjegjës. Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë, Helmut Lohan, ka deklaruar se pavarësia e Prokurorisë është tepër e rëndësishme, duke bërë thirrje që politika të mos ndikojë në vendimmarrjet e organit të akuzës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›