E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i ri i energjisë, “goditen” 9000 invalidë

17/03/2010 Banorët e 3 lagjeve në protestë për faturat e larta

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte një goditje e rëndë sidomos për 9000 invalidët e qarkut Fier. Invalidët do të përfshihen jo vetëm në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, por edhe në të gjitha taksat, siç është edhe ajo e televizionit. Sipas kreut të invalidëve në Fier, Ramiz Hoxha, vendimi për përjashtimin e invalidëve nga taksat është marrë nga Parlamenti dhe kërkesa për të paguar taksën e televizionit nga ana e OSSH-së është e padrejtë. Në të njëjtën kohë, rritja e çmimit të energjisë elektrike është e papërballueshme sidomos për kategorinë e invalidëve, të cilët marrin një pension invaliditeti shumë të ulët krahasuar me koston e lartë të jetesës. “Kategoria e invalidëve me vendim qeverie është përjashtuar nga taksat. Ndërkohë që vjen një udhëzim nga ana e OSSH-së që ne do të paguajmë taksën siç është e televizionit. Invalidëve u duhet të marrë ilaçet, të paguajë dritat, ujin, telefonit, por jo edhe rritjen e taksave”.

Ndërkohë dhjetëra banorë të lagjeve “8 Shkurti”, “Liri”, “Konferenca e Pezës” në Fier, kanë protestuar në zyrat e OSSH-së në Fier, duke akuzuar për abuzim në faturimet e energjisë elektrike. Banorët konsumatorë kanë pohuar se vlera në faturë është tepër e lartë dhe nuk përligj konsumin e vërtetë të kësaj energjie në familje. Sipas tyre, faturistët e energjisë elektrike zbatojnë urdhrat e drejtuesve të tyre për të vendosur faturime të larta. Banorët paraditen e djeshme kanë protestuar në këto zyra duke kërkuar prej drejtuesve shpjegim të kuotave kaq të larta. “Unë kisha 700 kilovat tepër rashë dakord me faturistin dhe i likuidova ato. Tani për marsin më vjen 400 kilovat më tepër. Drejtori i OSSH-së na mbylli derën”-ka thënë qytetari Agur Avdija. Ndërkohë drejtues të OSSH-së u shprehën se janë pushuar 5 faturistë nga puna për shkak të kësaj gjendjeje, ndërsa grupi i Taks-Forcës po verifikojnë në çdo pallat dhe banesë për të përcaktuar realisht gjendjen. Ata u kanë kërkuar banorëve të denoncojnë rastet dhe njëkohësisht të presin rastin e verifikimit të aparateve matës të tyre derisa Taks-Forca të bëjë verifikim të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›