E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, mjekët roje kërkojnë rritje page

Sipas tyre, nëse gjatë viteve është rritur paga bazë apo ajo e vështirësisë për kushtet e punës dhe specializimet e ndryshme, kjo pagesë nuk ka pësuar ndryshim, por vazhdon të jetë në fuqi vendimi i vitit 2002. 

TIRANE-Mjekët e Qendrës Universitare Spitalore "Nënë Tereza", në emër të 15 mijë bluzave të bardha, që 4 herë në muaj iu bie të punojnë 24 orë pa ndërprerje, i kërkojnë qeverisë që të rrisë shpërblimin që ata marrin për 24 orëshin. Sipas tyre, nëse gjatë viteve është rritur paga bazë apo ajo e vështirësisë për kushtet e punës dhe specializimet e ndryshme, kjo pagesë nuk ka pësuar ndryshim, por vazhdon të jetë në fuqi vendimi i vitit 2002. Ata e argumentojnë këtë kërkesë edhe me faktin se mjeku roje punon në kushte edhe më të vështira, pasi i duhet të presë urgjencat në çdo orë. “Është pak të thuash se mjekët e rojes, paguhen në mënyrë qesharake. Mjekët e rojes janë në çdo moment të kërcënuar dhe dhunuar nga njerëzit, pasi këta të fundit nuk e dinë se në çfarë kushtesh punon ky personel. Për ta, nuk mjafton thjesht lodhja fizike që bëjnë për 24 orë pa ndërprerje dhe ata paguhen me shpërblime skandaloze, ndonëse punojnë pa mjetet e përshtatshme, në kushte të vështira dhe mbi të gjitha, pa asnjë mjet mbrojtës", - ka thënë shefi i ORL-së, Pjerin Radovani për “Gazeta Shqiptare”.
Sipas tyre, me një vendim qeverie, që i takon vitit 2002 është vendosur që për çdo shërbim roje 24 orë pa ndërprerje, në Qendrën Universitare Spitalore "Nënë Tereza" të jepet një shpërblim prej 1800 lekë për mjek roje i parë, dhe 1600 lekë për mjek roje i dytë. Ndërsa për ditët e festave, ky shërbim paguhet me 2700 lekë për mjek roje i parë, dhe po aq, pra 2700 lekë edhe për mjek roje i dytë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›