QSUT, pacientët ndalohen të marrin ushqime me vete
Sipas urdhrit të QSUT-së pacientët do të konsumojnë vetëm ushqimet e spitalit. Ndryshon edhe procedura e servirjes
Pacientët nuk do të mund të konsumojnë më në spital ushqime të blera ose të gatuara vetë. Ky është udhëzimi i Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ka hyrë në fuqi që ditën e djeshme. Gjithashtu në QSUT ushqimi do t'u shkojë pacientëve i servirur me tabaka nga karroca e shpërndarjes deri tek shtrati i pacientit. "Që prej fillimit të funksionimit të këtij lloj shërbimi, që vendoset për herë të parë në Shqipëri, nuk do të lejohen më që pacientët dhe të afërmit e tyre të sjellin ushqime apo pajisje kuzhine, si pjata, lugë e tenxhere nga shtëpia",- pohon zëdhënësi për shtyp i QSUT-së, Bajramaj. Sipas tij, ky shërbim pritet të plotësohet dhe realizohet në të gjitha pavijonet, nga dita në ditë, deri në datën 31/12/07, ditë në të cilën përfundon afati i vendosur mes Drejtorisë së QSUT dhe firmës kontraktuese për zbatimin e kontratës së ushqimit.
Ndalohen ushqimet
Ushqimi në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" nuk do merret më me vete nga pacientët. Kështu pacientët nuk do të kenë mundësinë të bëjnë naze, por do të konsumojnë vetëm ushqimet e përgatitura nga spitali. Këtë e pohon zëdhënësi për shtyp i QSUT-së, Alvi Bajramaj, i cili thekson se nga ky udhëzim nuk do të përjashtohet askush. Sipas tij, kuzhina e spitalit do të përgatisë ushqime sipas dietave që u duhen patologjive të ndryshme të sëmundjes. "Pas përmirësimit të cilësisë, përcaktimit të dietave sipas sëmundjes nga dietologët e spitalit, shtimit të sasisë së frutave, etj., shpërndarja e tij sipas parametrave europiane do të përmirësojë më tej shërbimin ndaj pacientit në QSUT",- pohon Bajramaj, duke shtuar se kjo do të thotë që në dhomat e pacientëve nuk do të gjenden më ushqime, as enë për produktet që konsumojnë pacientët.
Shpërndarja
Në spitalin më të madh të vendit do të ketë ndryshim edhe sa i takon servirjes së ushqimit. Kështu zëdhënësi për shtyp, Alvi Bajramaj pohon se servirja e ushqimit do të bëhet me tabaka deri tek shtrati i pacientit. Sipas tij, kjo do të realizohet nga një personel i posaçëm nga firma kontraktuese me QSUT-në. "Të gjitha pajisjet e kuzhinës, duke filluar që nga pjatat, lugët, pirunjtë, gotat, tabakatë personale dhe karrocat e shpërndarjes janë të reja, të ardhura ditët e fundit",- pohon ai. Ndërkohë, Bajramaj shpjegon se, pranë çdo pavijoni në QSUT është ngritur një mini-kuzhinë, në të cilën ushqimi do të vijë nga kuzhina qendrore në karroca termike, të cilat garantojnë ngrohtësinë e tij dhe më pas do të shpërndahen nga punonjësit e mini-kuzhinave në pjata dhe tabaka, për t'u dërguar deri tek shtrati i pacientit. Ky shërbim pritet të plotësohet dhe realizohet në të gjitha pavijonet, nga dita në ditë, deri në datën 31/12/2007, ditë në të cilën përfundon afati i vendosur mes Drejtorisë së QSUT dhe firmës kontraktuese për zbatimin e kontratës së ushqimit.