"His Children", lirohet nga burgu kuzhinieri
Janaq Papleka u dënua me 2 vjet, por u lirua me kohën e paraburgimit
TIRANË- Njëri prej të akuzuarve për çështjen e abuzimeve seksuale në qendrën "Fëmijët e tij" u dënua dje me 2 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, atij i ulet 13 e këtij dënimi. Me vendimin e djeshëm të togave të zeza të Gjykatës së Tiranës, Janaq Papleka u deklarua fajtor për veprën penale të "moskallëzimit të krimit" dhe "fshehjes së provave për zbulimin e së vërtetës", por u lirua me kohën e paraburgimit. Pas arrestimit të David Braun në Shqipëri, ishte edhe kuzhinieri Janaq Papleka ai që u vendos në pranga, pasi nuk kishte treguar abuzimet që bëhen me fëmijët, duke u bërë kështu pjesë e skandalit për pedofili të britanikëve David Braun, Dino Christodulou dhe Robin James Arnold, ku për dy këta të fundit gjykata angleze ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Shqipërisë për ekstradim. Ndërkohë, tre javë më parë, i vetmi shtetas shqiptar i përfshirë në këtë çështje, ish-kuzhinieri i qendrës, Janaq Papleka, pranoi akuzat dhe kërkoi gjykim të shkurtuar, çka solli ndarjen e çështjes në dy procese. Ndërsa gjykimi i tre të pandehurve të tjerë, të cilët akuzohen për "marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur" është ndarë dhe pas kësaj, dosja është hedhur në short, ku do ta gjykojë një treshe tjetër gjyqtarësh. Sipas akuzës, nga tre shtetasit me pasaportë angleze, vetëm njëri prej tyre, David Braun, ish-drejtuesi i qendrës "Fëmijët e tij", ndodhet në dispozicion të drejtësisë shqiptare.