E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, tre shërbime të specializuara bashkohen në godinën e re të Kardiokirurgjisë

TIRANË, 20 korrik /ATSH/  Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vijon puna për përfundimin e mobilimit dhe instalimin e pajisjeve mjekësore në godinën e re të Kardiokirurgjisë, Kirurgjisë Vaskulare dhe Anestezi-Reanimacionit, një investim që synon të rrisë kapacitetet e shërbimeve të specializuara dhe cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.

Godina e re do të integrojë tre shërbimet në një hapësirë moderne, ku do të zhvillohen njëkohësisht aktiviteti klinik, edukimi universitar dhe praktika mësimore.

Drejtoresha e QSUT-së Rudina Degjoni, e cilësoi projektin një nga investimet më të rëndësishme për sistemin spitalor.

“Ky është një investim i rëndësishëm që bashkon në një godinë tre shërbime të specializuara, Kardiokirurgjisë, Kirurgjisë Vaskulare dhe Anestezi-Reanimacionit. Krahas infrastrukturës moderne, kemi investuar edhe në teknologji dhe pajisje bashkëkohore, të cilat do të rrisin cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Ky projekt rrit kapacitetet tona, si në sallat e operacionit, ashtu edhe në terapinë intensive, duke ofruar kushte më të mira për pacientët dhe stafin mjekësor”, u shpreh ajo.

Sipas saj, investimi do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë së formimit të mjekëve të rinj, pasi godina do të shërbejë edhe si qendër për mësimdhënie dhe zhvillim profesional.

Nga ana e tij, shefi i shërbimit të Kardiokirurgjisë theksoi se zgjerimi i infrastrukturës dhe shtimi i një salle të re operative pritet të rrisë me rreth 15% numrin e ndërhyrjeve kardiake.

Godina e re ka një kapacitet prej 34 shtretërish, ndërsa shërbimi i Anestezi-Reanimacionit do të ofrojë kushte më të avancuara për kujdesin intensiv pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

Sipas ekipit mjekësor, synimi është zgjerimi i ndërhyrjeve mini-invazive në zemër dhe krijimi i një qendre të konsoliduar kardiokirurgjikale, e cila në të ardhmen do të jetë e gatshme edhe për kryerjen e transplanteve të zemrës, pas miratimit të kuadrit ligjor përkatës.

Drejtoresha Degjoni bëri të ditur gjithashtu se falë këtij investimi flotës së pajisjeve mjekësore i janë shtuar teknologji të reja bashkëkohore, ndërsa falë autonomisë spitalore, edhe buxheti i institucionit pritet të rritet, duke krijuar më shumë mundësi për investime të reja në shërbim të pacientëve.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›