Bregu: Pagesat me kartë tejkaluan tërheqjet cash

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Drejtoresha e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, Ledia Bregu, deklaroi se zbatimi i pagesave të menjëhershme (instant payments) do ta bëjë sistemin e pagesave më të aksesueshëm për qytetarët dhe bizneset, duke përshpejtuar më tej digjitalizimin e pagesave në vend.
Në një prononcim për mediet Bregu tha se në 3-mujorin e parë të këtij viti për herë të parë, pagesat me kartë në terminalet POS kanë tejkaluar tërheqjet e parasë cash në ATM, ndërsa zgjerimi i pagesave elektronike dhe zbatimi i pagesave të menjëhershme pritet ta bëjnë sistemin e pagesave edhe më të shpejtë, më efikas dhe më të aksesueshëm për qytetarët dhe bizneset.
Sipas saj, hyrja në fuqi gjatë tremujorit të fundit e detyrimit për pajisjen me terminale POS edhe të subjekteve që operojnë në sektorët e turizmit dhe transportit ka dhënë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e përdorimit të këtyre instrumenteve të pagesës.
Numri i terminaleve POS është rritur me mbi 6 mijë njësi, duke u dyfishuar krahasuar me periudhën e mëparshme. Bregu theksoi se pagesat me kartë janë ndër instrumentet më të shpejta dhe me kosto më të ulët, si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë, krahasuar me përdorimin e parasë fizike.
Të dhënat tregojnë se pagesat me kartë janë rritur me 33% në numër dhe me 22% në vlerë, duke arritur në rreth 6,7 milionë transaksione me një vlerë prej afro 28 miliardë lekësh.
Bregu bëri të ditur gjithashtu se numri i transaksioneve bankare për frymë është rritur me 30%, duke reflektuar zgjerimin e përdorimit të shërbimeve elektronike të pagesave.
Në vijim të reformës së tregut të pagesave, ajo njoftoi se në nëntor të këtij viti edhe institucionet financiare që nuk janë banka do të bëhen pjesë e sistemit të pagesave të menjëhershme, një zhvillim që pritet të rrisë konkurrencën, të zgjerojë ofertën e shërbimeve dhe të përmirësojë më tej aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në pagesat elektronike.
/e.xh/j.p/