E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, virozat e stinës shkaktojnë fluks pacientësh në Pediatri



Lizeta Duro

Pediatria e Tiranës në QSUT është tejmbushur me fëmijë 0-15 vjeç, për shkak të virozëve të stinës. Festimi i Vitit të Ri në teren, temperaturat e ulëta si dhe viruset që qarkullojnë në ambient kanë bërë që fëmijët të preken nga virozat e stinës. Prindërit, që kanë shoqëruar fëmijët në Pavijonin e Pediatrisë, veç ankesave që kanë për shkak se disa prej mjekëve janë akoma me pushime dhe mbipopullimit të dhomave, shqetësohen gjithashtu për ndërlikimet e ndryshme që mund të japin këto viroza. Rrezik i madh sipas tyre është edhe mundësia nga prekja me virusin A/H1N1, për shkak se ky i fundit prej disa javësh është shfaqur sërisht në rajon. Sipas specialistëve, nëse virozat kapen që në fazat e para, atëherë sëmundja nuk mund të përparojë dhe shmangen komplikacionet e tjera. Në rastet kur fëmija vuan nga ndonjë sëmundje tjetër ata këshillojnë që prindërit të drejtohen, që në sintomat e para, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore si dhe konsultim nga mjeku i familjes, kështu do të shmangin dhe rëndimin e mëtejshëm të situatës. Virozat e stinës janë sëmundje arogene, që përhapen nëpërmjet spërkave dhe në këtë periudhë, ku fëmijët qëndrojnë më pranë dhe në ambiente të mbyllura, shtohet mundësia e transmetimit nga një fëmijë te tjetri.

Simptomat

Specialistët shprehen se këto kohë, qindra viruse qarkullojnë në ajër, të cilat shumohen dhe bëhen patogjenë për organizmin duke shkaktuar virozat e stinës. Sipas tyre këto sëmundje kanë simptoma të dukshme te fëmijët. Simptomat e para të virozave të stinës apo gripit janë bllokim i rrugëve të frymëmarrjes, bark, të vjella dhe temperaturë të lartë. Pjesa më e madhe e fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore vuan nga infeksioni i rrugëve të frymëmarrjes. Këtu përmblidhen shumë sëmundje virale që shfaqen çdo vit dhe që në popull njihen me emrin grip, rrufë. Simptomat kryesore që shfaqin virozat e stinës janë teshtimat, bllokim e kullim hundësh, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, temperaturë të lartë. Pacienti, në të njëjtën kohë, shfaq mungesë oreksi, dhimbje koke dhe kollë. Këto shqetësime mund të zgjasin deri dhe në 4-5 ditë dhe më pas shenjat kryesore zbuten, derisa pas një jave zhduken plotësisht dhe mund të mbetet vetëm kolla. Nëse kalon mbi këto ditë mund të mendohet për komplikacione. Këto mund të jenë një trake bronkiti, bronkiti difuz dhe bronkopneumonia. Sipas mjekëve, shenjat e komplikacioneve janë mjaft të dukshme. Këto janë disa nga simptomat më të zakonshme që shfaqen në moshat pediatrike, me të cilat detyrojnë fëmijët t’iu drejtohen spitaleve. Temperatura e lartë është gjithashtu shumë shqetësuese dhe nëse temperatura pasi është qetësuar, rishfaqet sërish e lartë, duhet të mendojmë se ka komplikacione. Problem përbën dhe kur kolla është me sekrecione, shtohet dhe bëhet më e fortë, këtu pacienti ka dobësi të përgjithshme, dhimbje kraharori, humbje të oreksit. Mjekët pediatër shprehen gjithashtu se në një pjesë të rasteve fëmijët kanë marrë mjekimin e nevojshëm në spital dhe më pas janë larguar në familjet e tyre. Ndërsa në raste të tjera komplikacionet kanë qenë të mëdha dhe të vegjlit janë shtruar në spitale. Sipas mjekëve më të predispozuar për t’u prekur nga këto viroza janë fëmijët alergjikë dhe të sëmurët kronikë.

Rekomandime

Mjekët u rekomandojnë prindërve që të trajtojnë fëmijët me antibiotikë, por asnjëherë pa marrë rekomandimin e mjekut. Aktualisht, me uljen e temperaturave, kolla dhe sëmundjet e fytit janë virozat më të pranishme te të gjithë njerëzit. Virozat, ose siç njihen ndryshe katare stinore, në këtë ndërrim temperaturash janë pothuajse normale. Shenjat janë thuajse të njëjta, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë e temperaturë. Por, sipas mjekëve, ky nuk është grip. Madje edhe nëse përsëritet, sërish nuk kemi të bëjmë me grip. Shpesh njerëzit i ngatërrojnë virozat e stinës me gripin, por ky i fundit është tjetër gjë, pasi ka shtrirje dhe përhapje më të gjerë nga katari stinor. Përveç rasteve me katare stinore, në këtë stinë paraqiten dhe raste të alergjive dhe bronkiteve kronike, që në këtë periudhë të vitit rishfaqen. Shkaqet e shfaqjes së virozave të stinës janë ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, luhatjet e theksuara të temperaturës, lagështia, ndotja e ambientit, të cilat shkaktojnë probleme në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, në faring dhe laring. Personat alergjikë dhe të sëmurët kronikë preken më shpesh sepse janë më të ndjeshëm nga ndryshimet klimaterike dhe cilësia e ajrit. Por, sipas mjekëve, nga këto raste nuk përjashtohet asnjë njeri dhe i çdo moshe. Duke qenë se virusi i gripit të derrit mund të gjendet gjithandej, të gjithë janë të rrezikuar për t’u prekur nga të tilla viroza.

Nata e ndrimit të viteve, fishekzjarret plagosin 40 persona

Drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Liljana Ramasaco, u shpreh dje se gjatë natës së festës së ndërimit të viteve, 40 persona janë paraqitur për të kërkuar ndihmën mjekësore në Urgjencën e Tiranës, 27 prej të cilëve, ishin raste në gjëndje më të rëndë se të tjerët dhe janë dërguar për një ndihmë më të specializuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sipas Autoritetit Shëndetësor Rajonal, natën e ndërimit të viteve 3 auto-ambulancat janë vendosura në sheshet më të populluara të kryeqytetit duke transportuar në spital 10 pacientë. Ramasacos poliklinikat e lagjes ofrojnë shërbim mjaft të kualifikuar për këtë ajo iu bëri apel qytetarëve të Tiranës, që ndihmën e parë mjekësore ta kërkojnë në poliklinikat pranë zonave ku banojnë.

5 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›