Berisha e cilëson të mbyllur çështjen e kutive dhe kërkesën e opozitës për transparencë
Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha e ka cilësuar të mbyllur kërkesën e opozitës për të bërë transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje, e para për vitin 2011, kreu i qeverisë tha se kutitë janë çështje që i përkasin së kaluarës. Ai e akuzoi kryetarin e opozitës si shkaktarin e mosrealizimit të procesit të transparencës. Sipas Berishës, Rama nuk kërkoi transparencën e zgjedhjeve, por bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave. Kreu i Ekzekutivit foli dje edhe për zgjedhjet e 8 majit, duke shprehur bindjen se shqiptarët do të dinë t’i japin fund pushtetit të neobllokmenëve në kryeqytet. Po kështu Berisha tha se qeveria do të bëjë çdo gjë që ka në dorë përsa i përket statusit të vendit kandidat, pjesa tjetër i mbetet opozitës.
Hetimi
“Opozita ka një problem. Problemi madhor i opozitës është psikologjia bunker e një njeriu që nuk ndan asgjë me normat e këtij sistemi. Ky zotëri, që e quajti historike ditën e votimit, kur nuk i doli rezultati që mendoi, u rikthye në origjinë duke thënë se nuk e njihte votën. Më vonë, ky zotëri, që bojkotoi Parlamentin, duke i ofruar të gjitha ato që kishte rezoluta, betohej e stërbetohej se do të digjte mandatet. Nuk i dogji mandatet. Ndenji 6 muaj jashtë Parlamentit. Të gjithë këto i bëri për të penguar vizat. Vizat ishin qëllimi i tij më madhor. Çfarë bëri ai pasi hyri në parlament? Nisi grevën. Greva ishte forma më serioze e presionit. Edhe atëherë i çova fjalë se duke ndenjur te dera e Kryeministrisë, kryeministër nuk bëhesh kurrë”, - është shprehur Berisha.
Duke iu referuar kërkesës së fundit të PS-së, të rrëzuar nga maxhoranca në seancën e fundit parlamentare, Berisha tha se në atë kërkesë flitet për hetim, por nuk jepet asnjë fakt. Ai tha se një kërkesë e tillë është në kundërshtim me ligjet e vendit. “Do të mbeten të pashlyera në memorien time dy seancat e fundit. Solli kërkesën për hetim. Ky zotëri shkruante 35 herë fjalën hetim, pa vendosur fjalën fakt ose prova, siç e kërkon ligji. Kjo është e turpshme. Nuk mund të bësh hetim pa fakte, pasi thyen parimin më themelor. Vetëm në romanet e Kafkës. Lexojeni ‘Procesin’ e kafkës, Jozef K., një punonjës banke, arrestohet dhe vendoset në arrest shtëpie pa bërë asgjë. Ky është hetimi pa fakte. Ky është koncepti i bunkerit. Përse e quajmë ne atë bllokmen? Sepse vetëm nga Blloku mund të vijë një koncept i tillë”, - është shprehur Berisha. Ai tha se qeveria ka treguar se ka vendosur dhe do të vendosë standardet më të larta ndaj opozitës, por qeveria nuk do të mund të pranojë kurrë shkelmimin e parimeve me themelore të një shoqërie të lirë. “Qeveria ka qëndrimin e vet shumë të qartë, do t’u ofrojë bashkëpunimin e vet maksimal në kuadrin e parimeve themelore, të lirisë, të Kushtetutës, të rendit. Qeveria mund të bëjë çdo gjë, por nuk ia heq dot nga koka bunkerin zotërisë së tij. U takon socialistëve që për një vit e gjysmë rresht u tha se po nuk u hap kutia dhe rinumërua vota do të bëhej gjëma, e më pas u thotë se nuk e kam kërkuar rinumërimin e votës”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Berisha tha se “u takon shqiptarëve të vendosin. 8 maji është një datë në të cilin shqiptarët do të dinë mençurish të përcaktojnë të ardhmen e tyre, do të dinë të çlirohen në mënyrë përfundimtare nga psikologjia e Bllokut. Ne kemi të bëjmë me një restauracion të vërtetë në Partinë Socialiste. Në histori ky proces është i njohur dhe quhet restauracion kur rikthehet një dinasti apo në rastin konkret, kur rikthehet një mentalitet, është restauracioni i psikologjisë së Bllokut, si kurrë ndonjëherë”, - është shprehur Berisha.
Statusi
I pyetur për çështjen e statusit, kreu i qeverisë tha se Këshilli i Ministrave do të bëjë gjithçka që i takon për ta marrë këtë status, por nuk mund të ndikojë te opozita për qëndrimet e saj. “Unë ju siguroj se këtë vit qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë për të përmbushur detyrimet e saj, por një gjë qeveria nuk mund të bëjë kurrë: të udhëheqë opozitën. Kjo as në tentativën më të vogël. Në qoftë se ka një gjë nga karriera ime politike, është se politikën unë e bazoj në moral. Morali dhe normat e mia nuk më lejojnë të bëj as edhe hapin më të vogël, përveçse ofertave publike ndaj opozitës. Se çfarë do të bëjë opozita, ajo përcaktohet prej saj”,- ka përfunduar kreu i qeverisë.
Reagimi
Xhaçka: “Opozita nuk do të heqë dorë nga transparenca e kutive të 28 qershorit”
Fill pas deklaratës së kreut të qeverisë ka reaguar dje deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka. Në një deklaratë për shtyp Xhaçka tha se opozita nuk do të heqë dorë kurrë nga kërkesa për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ajo e cilësoi të turpshme deklaratën e kryeministrit Berisha, i cili, sipas saj, ka lënë në baltë pensionistët dhe shtresat e tjera në nevojë. “Sali Berisha dha një shfaqje shembullore të nivelit ku ka rënë puna e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Lexoi detyrat e drejtorive të një agjencie shtetërore sepse ka harruar detyrat e tij. Sepse ka harruar një milion të papunët që i ka lënë pa shpresë. Ka harruar 540 mijë pensionistët që i la pa një qindarkë për Vitin e Ri. Ka harruar universitetet e spitalet pa asnjë kusht e standard shërbimi. Sepse ka dështuar me ekonominë duke lënë në baltë Shqipërinë e shqiptarët”, - është shprehur Xhaçka. Ajo tha se të gjithë shqiptarët duhet të ngrihen në këmbë për ta larguar këtë qeveri që vodhi zgjedhjet dhe tani po vjedh Shqipërinë. “Ndaj sot lipset që Shqipëria të ngrihet në këmbë për ta larguar këtë qeveri të dështuar që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë. Sali Berisha thotë që kutia i takon vitit të shkuar, por në fakt kutia e mbyllur është baza e pushtetit të tij të vjedhur. Ky vjedhës votash ta harrojë se opozita do të heqë dorë nga transparenca e kutive të 28 qershorit. Djegia e fletëve nuk e mbulon dot krimin elektoral që herët a vonë ne do ta bëjmë transparencën duke nxjerrë para syve të popullit manipulimin e materialeve zgjedhore. Sa për Edi Ramën, Sali Berisha bën mirë të kërkojë falje për përrallën e gënjeshtrës së 20 përqindëshit që ua këndoi shqiptarëve 3 muaj paturpësisht, me gjithë fuqinë e altoparlantëve të pushtetit të vjedhur”, - është shprehur deputetja socialiste.
Projekti
“Shqipëria, në vitin 2017, do të jetë një vend i zhvilluar ekonomikisht”
Ndërsa ka prezantuar dje drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Kombëtare të Investimeve dhe Zhvillimit, Eneida Guria, kryeministri Berisha ka deklaruar se Shqipëria do të futet në radhët e vendeve me ekonomi të zhvilluar në vitin 2017. Madje ai u shpreh aq i bindur që do të jetë në krye të qeverisë edhe në janar të vitit 2018. “Viti 2017 është përcaktuar si një nga objektivat tanë më ambiciozë, duke marrë parasysh të gjitha potencialet e jashtëzakonshme që ka ky vend. Nuk është objektiv i lehtë, madje shumë i vështirë, por unë inkurajohem sepse shoh disa fusha ku rritja është jashtë parashikimit, si për shembull turizmi, i cili është rritur me 11-12 herë dhe ne nuk e kishim parashikuar që do të rritej me këto ritme, ose Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit. Mua nuk më shkonte kurrë mendja se sot do të ishin në Facebook mbi 1 milion shqiptarë. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme. Shikoni edhe projektin e ullirit. Nga 4.8 milionë rrënjë ullinj që kanë qenë në 5 shekuj, janë 10 milionë rrënjë ullinj. Zotimi i qeverisë është se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulliri, por e vërteta është se 2/3 po i mbjellin vetë qytetarët me pasionin më të madh dhe realisht janë biznesmenë, intelektualë. Po ashtu, disa resorte të mëdha turistike janë në përgatitje. Në 2017-n ky vend do të jetë vend i zhvilluar. Ka një plan që të ecim drejt turizmit malor. Me urgjencë do të zhvillojmë turizmin malor, me një kuadër ligjor favorizues në ekstrem. Të mos harrojmë se potenciali turistik është potenciali kryesor i vendit. Por ne do të takohemi këtu, në këtë sallë, më 3 janar të vitit 2018 për të bërë bilancin. Shënojeni”, - është shprehur Berisha.
5 Janar 2011