QSUT zgjeron ndërhyrjet e avancuara për goditjen në tru, ofrohet shërbimi i plotë i trombektomisë

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Shërbimi i trobektomisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ofrohet për qytetarët, tashmë i plotë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu u shpreh sot se ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e shërbimeve të avancuara të trajtimit të insultit (goditje në tru) në vendin tonë dhe, mbi të gjitha, më shumë mundësi për pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje specifike.
“Një tjetër dëshmi se puna në ekip, ekspertiza dhe teknologjia bashkohen për të dhënë shpresë dhe për të shpëtuar jetë”, tha Spahiu.
Nisja e këtij shërbimi shënon një hap të rëndësishëm në zgjerimin dhe modernizimin e shërbimeve të neuroradiologjisë intervenuese në vend. Instalimi i Angiografit Biplanar dhe krijimi i kabinetit të Radiologjisë Intervencionuese mundësojnë diagnostikimin dhe trajtimin endovaskular të insultit ishemik akut përmes trombektomisë mekanike, si dhe trajtimin e patologjive të tjera vaskulare e cerebrovaskulare, përfshirë aneurizmat, përmes procedurave të avancuara si angiografia digjitale me substraksion (DSA).
Me një potencial prej rreth 200 procedurash të avancuara endovaskulare në vit, Angiografi Biplanar dhe Kabineti i Radiologjisë Intervencionuese forcojnë kapacitetet e QSUT për trajtimin e patologjive komplekse neurovaskulare, duke sjellë në vend mundësi të reja për ndërhyrje të shpejta, të sigurta dhe të avancuara.
Ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt një sistemi shëndetësor më modern, më të specializuar dhe më pranë pacientit, duke sjellë në Shqipëri mundësi të reja për ndërhyrje të shpejta, të sigurta dhe të avancuara.
/e.i/r.e/a.f/