E Shtunë, 31 Tetor 2026

QYPRILINJTë, DINASTIA E VEZIRëVE Të MëDHENJ SHQIPTARë Në PERANDORINë OSMANE

(vijon nga numri i djeshem)

FAZIL AHMET PASHË QYPRILIU (1661-1676)

Më 31 tetor të vitit 1661, Veziri i Madh, Mehmet Qypriliu, arriti të bindë Sulltanin që të pranonte largimin nga detyra dhe zëvendësimin e tij në detyrën e Vezirit të Madh me të birin Fazil Ahmet Pasha, kërkesë që u plotësua.

Duhet të themi që në fillim se emërimi i Ahmetit në këtë post nuk ishte pasojë e një hatri apo preference të favoreve familjare perandorake. Në të kundërt, e gjithë kritika historike, opinionet osmane dhe ato evropiane të kohës, e vlerësojnë këtë hierark si "komandantin ushtarak turk më të aftë dhe më të famshëm të shekullit..." Ai konsiderohet një burë me aftësi dhe karakter të qëndrueshëm; që besonte në forcat dhe aftësitë e tij personale. Nën këtë kurajë, më 1663, ai mobilizoi një forcë ushtarake prej 120000 vetash dhe iu drejtua Evropës Qendrore. I takojnë atij meritat e disa fitoreve në kufijtë me Austrinë, si dhe detyrimet prej 200 000 florinjsh në këmbim të ndërtimit të fortesës nga austriakët në Waag. Ahmeti mori përsipër dhe drejtoi gjithashtu ekspeditën dhe operacionet ushtarake kundër Hungarisë, pasi kishte kaluar nëpër Beograd dhe Buda, më 1664, si dhe realizoi nën përgjegjësinë dhe drejtim personal tërë operacionet kundër venecianëve.

(Richard Lodge: "Austria, Poland and Turky", Kap. XII, f 382.)

Në vitin 1669, mposhti aleancën franko-veneciane, pasi kishte marrë më parë komandën personale të drejtimit të betejave nën një vendosmëri të hekurt kundër qëndresës heroike të kryeadmiralit të njohur venecian, Françesko Morozini. Pas betejave të përgjakshme navale nën komandën e tij personale, Ahmet Qypriliu arriti të shtjerë në dorë ishullin strategjik të Kretës, duke përfshirë këtu edhe kontrollin e porteve të Sudas, Karabusës dhe Spina-Lurgas. Nënshtrimi i ishullit të madh dhe strategjik të Kretës ishte pa dyshim i një rëndësie të paimagjinueshme. Kjo fitore konsiderohet e fundmja fitore mbi territoret evropiane e realizuar nga Perandoria Osmane dhe shënon kufirin e fundit të saj në fushatat pushtuese. Ky pushtim shënon në të njëjtën kohë edhe rrëzimin e copës së fundit të territoreve greke nën hartën e Perandorisë Osmane.

(J.A.R. Mariot; "The Eastern Question - An Historical Study of Europian Diplomacy", Oxford University, Clarendom, 1919, Kap V, f. 98)

Në vitin 1672, duke shfrytëzuar me dinakëri zhvillimet në Evropën Lindore, si dhe thirrjen për ndihmë të kozakut Hetman Dorozenko, në krye të një ushtrie impozante, pushtoi territore më të gjëra në kufijtë veriorë të Evropës, qytetet dhe krahinat e Kameniekut dhe Lembergut, duke lënë në mëshirën e duarve të tij tërë Podolian. Kështu, Veziri i Madh, Ahmet Qypriliu mundi të vërë në kushtet e suzeremitetit të tij tërë Ukrainën, duke marrë gjithashtu prej saj një tribute prej 200 000 dukatesh në vit.

Pa pritur të kthehej triumfator me trofetë e lavdisë dhe të parave në Stamboll, Qypriliu iu drejtua në tetor të vitit 1673 territoreve polake ku realizoi një fushatë ushtarake të suksesshme.

Në këtë mënyrë, gjer aty nga mesi i vitit 1676, Ahmet Qypriliu, kishte zgjeruar kufijtë dhe territoret e Perandorisë Osmane në skajet më veriore të Evropës, duke përfshirë edhe Neuhauselin, kishte vendosur dominimin mbi Hungarinë, kishte thyer dhe aneksuar territore të Polonisë dhe kishte shtënë në dorë të gjithë ishullin e Kretës. Ndoshta është ky strategu që arriti të zgjerojë më shumë se çdo herë tjetër dimensionin gjeografik në jetën e kësaj Perandorie.

Vdiq në vitin 1776 pak përpara nënshkrimit nga ana e Turqisë të traktatit të Zuravnës.

(Richard Lodge: "Austria, Poland and Turky", Kap. XII, f 382.)

Sundimi i Ahmet Pashë Qypriliut është një nga më të gjatët e Veziratit osman, dhe nuk konsiderohet aq i egër sa ai i pararëndësit, të atit të tij, bile ai vlerësohet një nga më të mirët. Vlerësohet si politikani që diti të ndërtojë apo rehabilitojë me mjeshtëri shumë plagë të politikës së jashtme osmane, që gjer atëherë rëndonin ekuilibrat dhe synimet pushtuese të saj. Qysh kur ishte gjallë jo vetëm historianët, por edhe shkrimtarët dhe artistët i thurën himne për kujdesin e veçantë dhe interesonin që ai tregoi ndaj tyre. Në kohën e tij dhe nën kujdesin e tij u ndërtua biblioteka që mban emrin e qyprilinjve dhe që u kthye në një nga bibliotekat më të rëndësishme të Stambollit.

(Martran, Robert; "Historia e Perandorisë Osmane "Dituria", Tiranë 2004, f. 235)

KARA MUSTAFA PASHA (QYPRILIU) (1676 -1683)

Mustafa Pashë Merzifonliu (Qypriliu) ishte një fëmijë me prejardhje turke, por i adoptuar që në moshë të re dhe i rritur nga familja e fuqishme e qyprilinjve. Shërbeu fillimisht si një korrier në Damask për kunatin e tij, Vezirin e Madh, Ahmet Qypriliun (djalin e Mehmet Qypriliut), në vitin 1663 u caktua Komandant i Flotës së Madhe Otomane për Detin Egje, etj. Pas disa vitesh, ndërsa ai kishte dhënë prova për aftësitë dhe talentin e tij, Mustafai mori titullin e Vezirit. Pas vdekjes së kunatit, Ahmetit, më 3 nëntor 1676, mori funksionin e Vezirit të Madh.

Nga momenti i hipjes në fron dhe gjer në vitin 1681, për gati pesë vite ai drejtoi një numër fushatash ushtarake kundër rusëve në Ukrainë, por ato nuk qenë të suksesshme. Në vitin 1681, në traktatin e nënshkruar me rusët turqit u detyruan të tërhiqen nga vijat e tyre kufitare, duke rrudhur edhe më tej kufijtë e Perandorisë.

Por, vëmendja kryesore e Mustafait ishin territoret e rrezikuara hungareze prej austriakëve dhe ëndrra e tij, Vjena. Për këtë qëllim, në fillim të vitit 1683, ai mobilizoi dhe përgatiti një ushtri të madhe me anë të së cilës synonte të vendoste hegjemoninë përfundimtare mbi Hungarinë dhe mandej të pushtonte Vjenën, për të shmangur kështu një herë e mirë kërcënimin që i vinte nga Perëndimi. Ushtria kishte filluar marshimin nga Edreneja dhe gjatë rrugës nëpër territoret e Ballkanit ajo grumbulloi nga pashallëqet përreth reparte të reja dhe të panumërta. Ndërsa kishte mbërritur në Beograd numri i forcave të kësaj ushtrie kishte shkuar në 250 000 vetë. Rrethimi i Vjenës filloi më 14 korrik 1683, por mbas luftimeve të ashpra osmanët u detyruan të tërhiqen në fillim të shtatorit të po atij viti. Ky dështim para mureve të Vjenës i kushtoi Mustafai pasojën fatale. Më 25 dhjetor 1683 atij i prenë kokën.

FAZIL MUSTAFA QYPRILIU (1689-1691)

Ishte vëllai i Vezirit të Madh, Ahmet Pasha (i biri i Mehmet Pashës). U përzgjodh nga Sulltani Mehmeti IV, në një periudhë të rëndë krizash që kishin mbërthyer në shumë lëmenj Perandorinë.

Ajo që ishte më e rënda pa dyshim ishte kryengritja e jeniçerëve brenda në kryeqytet, që megjithëse u shtyp me gjak, në themel ajo tronditi tërë perandorinë. Ndërsa në planin ndërkombëtar Perandoria kishte marrë goditje të pariparueshme, siç ishte avancimi i ushtrive austriake drejt jugut dhe çlirimi nga ana e tyre e territoreve serbe dhe vetë qytetin e Beogradit. Këto fitore ngritën moralin e popullsive të Serbisë, Bullgarisë dhe Transilvanisë, në territoret e të cilave shpërthyen një numër kryengritjesh. (Mantran

Zgjedhja e Mustafait u bë me arsyetimin se vetëm emri dhe autoriteti i tij i njohur mund të ofronte garanci për rivendosjen e situatës. Me të marrë detyrën, ai filloi aplikimin e një numër reformash të asaj natyre që i kishin për objektiv edhe pjesëtarët e mëparshëm të familjes së tij. Në fushën e financave, ndërmori një numër reformash radikale e kurajoze, hoqi taksat e jashtëzakonshme, çliroi nga diferencimi tatimor të krishterët, në fushën e besimit kapërceu tolerancat fetare, afroi në aleanca një numër të krishterësh të shpallur armiq nga Porta etj.

Në fushën e politikës ndërkombëtare dhe të çështjeve të luftës ai ndoqi me vëmendje zhvillimet dhe në momentin oportun (të konfliktit mes austriakëve dhe hungarezëve, Habsburgve), në 8 tetor 1690, gjeti rastin dhe në krye të ushtrisë të drejtuar nga vetë ai marshoi, në beteja të ashpra drejt kufijve veriore dhe arriti të marrë prej austriakëve Beogradin, Vidinin, Nizin dhe territore të gjëra rreth tyre. Duke vazhduar edhe më tej ofensivat kundër austriakëve, në qershor të vitit 1691, në betejën e Slankamenit, Mustafai u vra.(Turkey - Love to knoë, Istambol 1911. f 119)

Por, kontributi i kësaj dere të famshme shqiptarësh nuk mbyllet këtu. Duket se gjurmët që ata lanë në historinë e kësaj Perandorie dhe besimi që ata gdhendën në subkoshiencën e osmanëve ishte aq i madh sa edhe pinjollët e mëvonshëm të kësaj fare u kërkuan dhe u parapëlqyen për të menaxhuar shpresat e lëkundura të turqve në dekadat dhe shekujt që pasuan.

HYSEIN QYPRILI (1697 - 1702)

Pak vite mbas vrasjes Mustafait, një numër dështimesh shoqëruan fatet e Perandorisë në fushën politike dhe atë ushtarake. Në frontet e luftërave, në vitin 1697 Turqia pësoi një humbje të bujshme në Senta. Fuqitë e saj qenë shteruar maksimalisht. (Biography of Turkish history - Maps and Paintings....Ankara - 2004)

Pikërisht në këto kohë të vështira një tjetër Qyprili thirret për të përballuar hallet e rënda të Perandorisë. Ishte Hysein Qypriliu, ishte djali i xhaxhait të Mustafa Qypriliut.

Me të marrë fronin e Vezirit të madh iu përvesh punëve të ushtrisë së perandorisë. Bëri shkurtime drastike në radhët e korpuseve të jeniçerëve dhe u përpoq të risë cilësisht radhët e saj. Për nevojat e rimëkëmbjes së ekonomisë, ndërmori një numër masash dhe uli në mënyrë të ndjeshme taksat. Nxiti dhe stimuloi përmes masave favorizuese fshatarët për kultivimin intensive të tokës. Gjatë pesë vjetëve të drejtimit të tij, monedha vendase u forcua në mënyrë të ndjeshme. Me kurajë filloi një reformë radikale për reformimin e tërë administratës dhe oborrit. Por, kjo nxiti një reaksion të fuqishëm që pruri për pasojë përmbysjen e tij.

Është konsideruar më shumë njeri i mendjes sesa i forcës. Ishte mbështetës dhe reformator i arteve dhe letërsisë në Perandori. Duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e vështira të perandorisë u imponua të nënshkruajë Traktatin e Karlovitzit, që është konsideruar "paqja poshtëruese". (The Enciclopedy of Ëarld History. F 356-7)

NUMAN QYPRILIU (1710-1711)

Ishte djali i Vezirit të Madh, Mustafa Qypriliut, qëndroi vetëm dy vjet në fronin e Vezirit të Madh (Sadr - Azemit) vdiq në vitin 1719. Megjithëse, qeverisja e tij zgjati pak, vetëm katërmbëdhjetë muaj, ai vlerësohet vetëm për masat radikale që mori në administratë. Ai njohu tërë labirinthet e kësaj burokracie që do të kërcënonin edhe më tej perandorinë. Vlerësohet si burë tepër i mençur dhe tolerant. U largua me dëshirën e tij nga pushteti dhe iu kthye jetës së tij private.

ABDULLAH QYPRILIU (1723-1735)

Abdullah Qypriliu ishte djali tjetër i Vezirit të Madh, Mustafa Qypriliut. Kreu një sërë funksionesh në hierarkinë osmane gjer Kajmekan i Vezirit të Madh, më 1703. Në kohën e marrjes së funksionit si Vezir i Madh, perandoria veç plagëve të tjera kërcënohej nga lindje seriozisht prej persëve, që në mënyrë periodike kishin rritur fuqinë dhe kishin korrur një numër fitoresh mbi ushtritë osmane. Në rrethanat e krijuara, menjëherë pas marrjes së detyrës, më 1725, Abdullai ndërmori një fushatë ushtarake dhe në betejat me ta arriti një fitore të bujshme duke shtënë në duart e tij edhe qytetin e Tabrizit. Vlerësohet për masat e mara në fushën e ekonomisë dhe të ushtrisë. Në një betejë të dytë të ndërmarrë kundër persëve të rebeluar, më 1735, në Bagave ushtritë e tij u mundën. I dha fund vetes me një akt heroik duke imituar të atin në Selankamen.

Qëndroi dymbëdhjetë vjet në funksionin e Vezirit të Madh dhe konsiderohet kështu një nga vezirët më jetëgjatë në fron.

( The Balkans - A history of Turky, Grece and Bulgaria....", f. 78)

* * *

Edhe pasi kjo dinasti e madhe, largohet nga kulmet e politikës - nga veziratët, një numër tjetër pinjollësh të familjes Qypriliu vazhduan të punojnë dhe vlerësohen në radhët e administratës osmane. E gjithë kjo mori personalitetesh mbetet ende e pakërkuar dhe pastudiuar, por përpara se ta mbyllim kronikën me evidencën e Qyprilinjve në periudhën e Perandorisë Osmane, do ndalonim të përmendnim një prej pasardhësve të saj në kohët moderne, në vitet e Republikës Turke. Një ndër ta është:

MEHMET FUAT QYPRILIU (1950-1956)

Lindi më 5 dhjetor 1890 dhe vdiq më 28 janar 1966. Njihet si pasardhës i derës së Qyprilinjve, fakt të cilin Mehmeti e pohonte vetë. Mbaroi studimet e larta në Kembrixh dhe që në moshë të re iu përkushtua shkencës së historisë dhe shpejt u përfshi në politikë.

Ishte ndër krerët udhëheqës të Partisë Demokratike Turke dhe kur ajo fitoi zgjedhjet shërbeu në kabinetin e Kryeministrit Adem Menderez. U caktua ministër i Jashtëm i Republikës Turke, funksion të cilin e mbajti nga viti 1950 gjer në vitin 1956. Qëndroi për pak kohë edhe në funksionin e zëvendëskryeministrit.

Si historian ka botuar një sërë veprash shkencore me karakter historik si: "Origjina e Perandorisë Otomane", "Sulxhukët e Anatolisë", "Islami në Anatoli pas invazionit turk", etj.

Njihet në radhën e figurave dhe personaliteteve të politikës dhe kulturës turke për kontributin e tij në fushën e studimeve për historinë otomane, folklorin dhe gjuhën turke.

* * *

Përpara se ta mbyllim këtë qëmtim të shkurtër rreth derës së famshme të Qyprilinjve dhe kontributeve që ata dhanë në rrjedhat historike të Perandorisë Osmane dhe për Turqinë moderne gjykojmë se është e nevojshme të përmendnim se në radhët e hierarkisë së lartë osmane, në funksionin e Vezirit të Madh, pra të Sadrazemit - veç Qyprilinjve shërbyen edhe shqiptarë të tjerë, rreth të cilëve ka fare pak apo më mirë të themi aspak njohje, kërkime dhe hulumtime shkencore. Megjithatë, le të bëjmë një gjest, qoftë edhe vetëm prezantimin e emrave të tyre duke shpresuar se paskëtaj me siguri do të ketë prurje të tjera që do të ndriçojnë veprimtarinë dhe kontributin e këtyre shqiptarëve në historinë e perandorisë osmane. Disa nga ata janë:

Arnaut Haxhi Halil Pasha - Lindur në Elbasan më 1655 dhe vdekur më 1733 - Sadrazem-Kryeministër.
Patrona Halil - lindur në Horpeshte - Shqipëri!!! Vdekur në Stamboll 1730 - Sadrazem-Kryeministër.
Ajaz Ahmet Pasha lindur në Vlorë dhe vdekur në Stamboll 1539, Sadrazem-Kryeministër.
Turhunçu Ahmet Pasha, Lindur në Mat-Shqipëri, vdiq në Stamboll më 21 mars 1653, Sadrazem-Kryeministër.
Pargali Ibrahim Pasha, Lindur në Pragë, vdekur në Stamboll 15 mars 1536, Sadrazem-Kryeministër.
Kemankesh Kara Mustafa Pasha, lindur në Shqipëri 1592 dhe vdekur në Turqi 1644, Sadrazem-Kryeministër, etj.
(Osmanli devletinde gorev yapan bazi arnavutlar - Shih Listën e plotë 6.3. 2009)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›