Qarku i Fierit, PD-LSI bëjnë pakt për të mos ia dorëzuar PS-së
Këshilli
PS-ja e fitoi me votë
Duke fituar shumicën e bashkive dhe komunave në Qarkun e Fierit, koalicioni Aleanca për të Ardhmen i drejtuar nga Partia Socialiste siguroi shumicën e vendeve në Këshillin e Qarkut Fier
Situata
Prefekti injoron gjykatën
Me anë të disa vendimeve të konsideruara të paligjshme nga gjykata, PD-ja caktoi anëtarë të rinj në këshill dhe zgjodhi kryetarin e vet. Prefekti nuk njeh gjykatat, por vendimet e njëanshme
Pakti
Transferim nga PD-ja te LSI-ja
Për mbajtjen e këshillit të qarkut nga të njëjtët persona edhe në rast të ndryshimit të pushtetit më 2013-n, Artur Shehu pritet të anëtarësohet në LSI, ndërsa njerëz të LSI-së po marrin poste në këshill
Artur Shehu, gati të anëtarësohet në LSI për të siguruar postin
Beteja politike mes grupimit Aleanca për Qytetarin dhe Aleanca për të Ardhmen për zotërimin e Këshillit të Qarkut të Fierit duket se nuk do të përfundojë edhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Ndonëse Gjykata e Apelit Vlorë ka dhënë vendime të formës së prerë ku ka rrëzuar ndryshimet e këshilltarëve të qarkut të kryer nga këshillat e disa njësive vendore, duke i dhënë të drejtë paditësit Vangjel Ndreka, ky i fundit nuk e zotëron ende vulën.
Artur Shehu pritet të konvertohet nga demokrat në anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim
Edhe pas denoncimit në emisionin investigativ Fiks Fare të falsifikimit të firmave në listë-prezencën e mbledhjes së organizuar nga z. Artur Shehu në ambientet e hotel Fierit, prefekti Robert Bitri dhe i zgjedhuri si kryetar i qarkut më 16 nëntor 2011, me votat e këshilltarëve të ndryshuar që u quajtën të paligjshëm nga gjykata, vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim.
LSI-ja përgatitet të mbetet në pushtet edhe nëse aleati i saj, PD-ja humbet në zgjedhjet e vitit 2013
E ndërsa i zgjedhuri nga të majtët si kryetar i Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreka, ka kryer kallëzim penal ndaj tyre në prokurori, z. Artur Shehu dhe prefekti Robert Bitri mësohet të jenë duke planifikuar taktika të reja për ta zotëruar këtë institucion për një afat kohor edhe më të gjatë.
Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime konfidenciale pranë degëve të PD-së dhe LSI-së në Rrethin e Fierit, nga ku është mësuar se Artur Shehu është duke tentuar të luajë kartën e fundit për të vazhduar të zotërojë vulën e kryetarit të qarkut. Sipas burimeve të sipërcituara, pritet që së shpejti Artur Shehu të konvertohet nga demokrat në anëtar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Kështu, duke lënë teserën e Partisë Demokratike dhe duke marrë atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shehu shpreson të ketë përkrahjen e plotë të prefektit, por edhe më shumë.
Burimet pohojnë se Shehu me këtë lëvizje kërkon të arrijë që, nëse të majtët vijnë në pushtet në vitin 2013, ai të ketë mundësi të qëndrojë në krye të qarkut, nën siglën e LSI-së që pritet të jetë në koalicion me PS-në pas zgjedhjeve parlamentare.
Ndërkohë gjatë javëve të fundit, Shehu ka emëruar në poste e funksione në qark elementë dhe mbështetës të LSI-së. Ndërsa për ta mbajtur këtë post deri në pranverën e vitit të ardhshëm mësohet se do të vazhdojë përdorimi i taktikës së shtyrjeve të gjyqeve dhe ndjekjes së këtyre proceseve në të gjitha shkallët, me qëllim që të mos ketë një vendim përfundimtar.
Por, edhe pse vendimet e Gjykatës së Apelit marrin formë të prerë, ato nuk janë zbatuar, pasi prefekti Robert Bitri ka njohur si të ligjshme të njëjtat ndryshime të këshillave të njësive vendore të kryera për herë të dytë nga grupimi Aleanca për Qytetarin, të cilat u rrëzuan nga Gjykata e Apelit.
Beteja politike dhe gjyqësore mes dy kaheve politike për zotërimin e institucionit të Këshillit të Qarkut të Fierit nisi rreth tetë muaj më parë. Grupimi Aleanca për Qytetarin, që nuk e siguroi dot shumicën me vota më 8 maj, arriti që pas votimeve të merrte mbështetjen e disa këshilltarëve të majtë në këshilla bashkish e komunash të ndryshme në Fier, Mallakastër e Lushnjë. Me mbështetjen e këtyre këshilltarëve, të cilët në disa raste u shpërblyen e në disa raste u shantazhuan, koalicioni i partive në pushtet tentoi të ndryshonte përfaqësimin e këshillave vendorë në këshillin e qarkut. Por të gjitha veprimet e kryera nga PD-ja dhe LSI-ja u konsideruan të paligjshme nga Gjykata e Apelit, duke e lënë të paprekur shumicën e socialistëve dhe aleatëve të tyre në këshillin e qarkut.
Megjithatë, vendimet e gjykatave nuk janë zbatuar dhe Artur Shehu i PD-së vazhdon të mbajë vulën e kryetarit të këshillit dhe të marrë rrogën për këtë detyrë. - Edmond Hoxhaj
Numrat: Akuza e PS-së dhe faktet e Fiks Fare
Shumica e sajuar e koalicionit të djathtë
Më 24 prill 2012, Vangjel Ndreka i PS-së dhe Artur Shehu i PD-së zhvilluan në të njëjtën kohë mbledhje të Këshillit të Qarkut. Në mbledhjen e Vangjel Ndrekës u paraqitën 54 këshilltarë dhe për këtë nuk pati asnjë pretendim. Në mbledhjen e thirrur nga Artur Shehu rezulton të kenë marrë pjesë 49 këshilltarë, por kjo shifër kundërshtohet nga Vangjel Ndreka, i cili ka bërë edhe një padi për falsifikim kundër Artur Shehut dhe prefektit Robert Bitri.
Pretendimeve të Ndrekës iu shtua edhe denoncimi nga emisioni investigativ Fiks Fare. Në këtë emision u shfaqën pamje ku tregohej qartë se në mbledhjen e organizuar nga z. Artur Shehu, nuk është arritur të formohet kuorumi i nevojshëm. Në pamjet e publikuara vërehet se në vend të këshilltarit të djathtë Eduard Dogani është prezantuar një punonjës i Komunës së Strumit, Dashnor Agaçe, ndërsa dy këshilltarë të tjerë, të cilët figurojnë të kenë qenë prezentë në mbledhjen e Shehut, janë filmuar teksa merrnin pjesë në mbledhjen tjetër, të organizuar nga Ndreka.
Emërimet
Gjatë javëve të fundit, Artur Shehu ka emëruar në poste e funksione në këshillin e qarkut anëtarë dhe mbështetës të LSI-së
Zvarritja
Për ta mbajtur postin deri në pranverën e vitit të ardhshëm mësohet se do të vazhdojë taktika e shtyrjeve të gjyqeve
Qarku i Fierit, PD-LSI bëjnë pakt për të mos ia dorëzuar PS-së burimi: Gazeta Shqip