E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku i Kukesit e djathta fiton ne Bajram Curr

Numërimi i votave në të gjithë Qarkun e Kukësit po vijon pa probleme, ku janë nxjerrë edhe fituesit e disa prej njësive vendore. Kështu, në rrethin e Tropojës ka përfunduar procesi i numërimit të votave për bashkinë Bajram Curr, ku kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Agim Demushi është shpallur fituesi ndaj kandidatit të “Aleancës për të ardhmen” Avni Dega.

Demushi ka kryesuar me 888 vota kundrejt rivalit të tij. Sa i takon komunave të këtij rrethi, tashmë ka nisur numërimi për Tropojën e Vjetër dhe sipas të dhënave të marra pranë Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve Partia Demokratike është në avantazh. Lidhur me rrethin e Hasit, ka përfunduar numërimi në njërën prej njësive vendore e konkretisht asaj me numër më të madh votuesish, komuna Golaj ku është shpallur fitues kandidati i “Aleancës për Qytetarin” Zenel Kastrati.

Lidhur me bashkinë Krumë, të dhënat e marra atje flasin se ka nisur procesi i numërimit të votave. Ndërsa sa i takon rrethit të Kukësit, deri tani janë numëruar 6 prej kutive të votimit për kryetar të bashkisë dhe këshillit bashkiak, ku kandidati i “Aleancës për Qytetarin” Hasan Halilaj kryeson ndaj rivalit të tij të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Alfred Cengu me 642 vota.

Këto të dhëna pritet të ndryshojnë nga momenti në moment pasi numërimi vijon edhe aktualisht në qendrën e numërimit të votave të komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve numër 34. Deri tani nuk janë shfaqur probleme veç një zhurme të krijuar mes kandidatëve për anëtarë të këshillit bashkiak, pasi këta të fundit kanë ngritur pretendimin se nuk shihej në ekran shenja e votimit të shtetasve. Megjithatë, tashmë edhe kjo çështje është sqaruar dhe numërimi i votave vijon pa probleme.

Olgera Muka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›