E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarku i Shkodrës fiton çmimin e parë të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës 2009

Gjirokastër, 30 shtator, NOA -  Qarku i Shkodrës është shpallur fitues i edicionit 9 të Festivalit Kombëtar Folklorik Gjirokastër 2009, ndërsa me çmim të dytë u nderuan qarku i Gjirokastrës dhe grupi Kosova 2, ndërsa me çmim të tretë qarku i Elbasanit dhe ai i Lezhës.

Por në këtë festival juria ndau edhe çmime të tjera, si ajo për grupe zhanresh me të cilin u nderua si orkestra më e mirë në veglat tradicionale qarku i Dibrës me orkestrën e Matit; çmimi për sazet me të cilin u nderua orkestrina e muzikës popullore qytetare të qarkut të  Korçës; çmimi për iso-polifoninë labe me të cilin u nderua grupi i Vlorës; çmimi për iso-polifoninë toske u nderua qarku i Beratit për iso-polifoninë e Skraparit; çmimi për ritualin më të mirë u nderua qarku i Tiranës, çmimi për vallen më të mirë të burrave u nderua qarku i Fierit me Vallen e Brezave; çmimi për grupin më të mirë të valleve të grave u nderua qarku i Durrësit me vallen e Fluturave; çmimi për paraqitjen më të mirë të veshjeve popullore u nderua grupi i Kukësit dhe çmimi për diversitetin kulturor u nderua Grupi i Gjirokastrës me vallen e Dropullit.
Ndërkaq, çmimin e parë për individë e morën rapsodët Sherif Dervishi dhe Myfterin Uka (Dibër); si intepretuesi më i mirë u zgjodh Benis Lekdodaj me vallen çame (Vlorë); si  lahutari më i mirë u zgjodh 99 vjeçari Gjok Nanaj nga Lezha etj.

Në Festivalin Folkorik Kombëtar të këtij viti morën pjesë 1200 artistë popullorë, të përfshirë 24 grupe nga 12 qarqe të vendit, 6 prej të cilave grupe artistike jashtë konkurimit, si edhe ansamble folklorike nga shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi,  arbëreshë të Italisë dhe të diasporës shqiptare në SHBA, për 6 ditë me radhë.

n.e/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›