E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epoka e ndryshimeve, në 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit

Në përvjetorin e rënies së Murit të Berlinit nisin nga nesër në Tiranë një sërë aktivitetesh, të cilat janë marrë përsipër kryesisht nga fondacione dhe ambasada gjermane. "Epoka e ndryshimeve, në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit" është quajtur takimi i nesërm në Hotel Rogner i organizuar nga Fondacioni "Hanns Seidel" dhe CEAPAL.


Në orën 18 do të shfaqet dokumentari "Të murosurit", prodhim i Deutsche Welle, 2009 dhe pas tij vijojnë "Reflektime mbi rënien e Murit" nga Fabian Schmidt, analist për Evropën Juglindore, Deutsche Welle, Bon. Një tjetër analist për këtë pjesë të Evropës, Patrick Moore referon për "Rolin e mediave të huaja për përmbysjen e sistemit komunist".


Ndërsa mënyra se si e kanë pasqyruar mediat shqiptare rënien e Murit të Berlinit është marrë në analizë nga Kleart Duraj, pedagog në Universitetin e Tiranës. Fatos Lubonja i prin diskutimeve mbi temën "Shoqëria shqiptare dhe Muri i Berlinit".


Ndërsa sot Ambasada Gjermane në Tiranë është e angazhuar me prezantimin e kalendarit "Tetori Gjerman 2009". Është viti i tretë që "Tetori gjerman" zë vend në kalendarin kulturor në Shqipëri. Dhe sigurisht që në qendër të aktiviteteve do të jetë 20 vjetori i rënies së Murit të Berlinit.


Disa nga ngjarjet kulturore që do të shtrihen nga 2 tetor deri më 20 nëntor janë Ditët e Filmit Gjerman që do të zhvillohen në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi". Vlen për t'u përmendur shfaqja për herë të parë e filmit "Lamtumirë Lenin" i regjisorit Wolfgang Becker.


Më 29 tetor çelet ekspozita e cila në fokus ka artin evropian pas kthesës politike të viteve
1989/1990.


Më 30 tetor, në Akademinë e Arteve do të shfaqet premiera e pjesës teatrale
"Fëmijët e Murit". Më 9 nëntor, në ditën e përvjetorit të rënies së Murit të Berlinit, në
Ambasadën Gjermane në Tiranë çelet një ekspozitë me postera, e cila hedh dritë mbi sfondin historik dhe politik të ngjarjeve të asaj kohe.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›