E Diel, 1 Nëntor 2026

Qato, ende enigmë emri i kundërshtarit të 1 majit

Kreshnik Qato ka nisur përgatitjet për duelin e 1 majit në Tiranë, ku do të mbrojë titullin e kampionit të botës në versionin WBF. Përgjatë gjithë muajit prill, boksieri nga Durrësi me banim në Londër, do të stërvitet në Francë, në mënyrë që të paraqitet në formë optimale në ring përpara tifozëve shqiptarë. Megjithatë, emri i kundërshtarit të 31-vjeçarit vazhdon të mbetet enigmë, edhe pse alternativa më e mundshme është serbi Gojko Knezeviç. “Kam nisur përgatitjet në Francë. Kjo stërvitje do të jetë mjaft pozitive dhe mendoj se do të paraqitem sa më mirë, për tifozët, sponsorin, por edhe për imazhin e boksit profesionist shqiptar”, deklaroi Qato. “Stërvitja zgjat katër javë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe do të shkëputem nga Londra. Në përgatitjen fillestare më së shumti do të merrem me “sparing” (duele stërvitore), ndërsa në momentin kur emri i kundërshtarit do të bëhet zyrtar, stërvitja do të bëhet më specifike”. Kampioni shqiptar, që më 21 mars regjistroi fitoren e 17 radhazi përballë letonezit, Aleks Spitko, është shprehur i emocionuar për rikthimin përpara publikut shqiptar. “Për mua janë emocione të dyfishta, që do të mbroj titullin përpara tifozëve të mi. Nuk mund të harroj tifozët në Londër, të cilët më kanë mbështetur. Dua t’ua shpërblej mbështetjen”, përfundoi Qato.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›