Sot sda të vërteta, rrezikojnë të gjithë
Sapo i hedh një sy tabelës së klasifikimit, vëren se përjashto Dinamon kryesuese dhe me pak sforco edhe Besën, të gjitha skuadrat e tjera janë ende të rrezikuara për mbijetesë. Në kategorinë inferiore bien dy skuadrat e fundit dhe dy të renditurat para tyre do të duhet të kalojnë nga ndeshjen “play-off”. Aktualisht konstatohet se kur duhen edhe 8 javë për mbylljen e sezonit, që nga Laçi i vendit të tretë (37 pikë) e deri tek i parafundit Skënderbeu (30 pikë), diferenca është vetëm 7 pikë dhe një gjë e tillë mban në lojën e rrezikshme plot 10 skuadra. Pikërisht këto kalkulime na sugjerojnë se ekzistojnë të gjitha shanset që java e 26, e cila do të luhet sot, do të jetë e vërtetë. Mundësitë për tolerime në këtë javë janë të pakta. Në një pozitë komode është vetëm Dinamo, e cila do të duhet të udhëtojë për në Vlorë, ku do të përballet me Flamurtarin. Diferenca prej 18 pikësh nga vendi i dytë, i bën blutë të jenë të hapur për cilindo rezultat, pasi titulli është 100% i tyre dhe për momentin pritet vetëm zyrtarizimi matematik. Ndërsa për vlonjatët, sfida e sotme është një mundësi shumë e mirë për të marrë pikë të vlefshme, për të ruajtur një hap të kënaqshëm të këtyre javëve të fundit, i cili mund t’i mundësojë largimin nga zona e ftohtë. Ndërkohë që një ndeshje interesante është edhe dueli Vllaznia-Besa, që do të luhet në “Loro Boriçi”. Për shkodranët, të cilët më në fund kanë mundur t’i largohen disi zonës së ftohtë, pikët e kësaj ndeshje janë jetike për të zënë një pozicion më komod në renditje dhe duke shpresuar edhe në një hap fals të atyre që pozicionohen para tyre, pse jo të synojnë një vend të dytë apo të tretë, që mund t’i çojë në Europë. Besa nuk rrezikohet nga rënia, por ama nuk e ka të sigurt pozicionin e dytë në klasifikim. Distanca mes kavajasve dhe Laçit është vetëm 3 pikë dhe një humbje mund të komprometonte situatën e djemve të Shpëtim Duros. Gjithsesi kjo sfidë ndërmjet Vllaznisë e Besës do të jetë një rast për të përballur të shkuarën dhe të ardhmen e kuqebluve. Bëhet fjalë pikërisht për repartin e sulmit te ky ekip. Brenda një sezoni, skuadra është mbështetur te dy lojtarë të ndryshëm, me një diferencë të madhe në moshë dhe sidomos në historinë e tyre, Bala (e tashmja) dhe Sinani (e shkuara, nga janari lojtar i Besës). Laçi është përfituesi më i madh i tolerimeve të këtyre javëve të fundit në Superiore. Jo sepse është i akuzuar për “trukime”, por sepse ka shfrytëzuar më së miri tolerimet që kanë bërë ekipet e renditura para tyre. Tashmë janë të tretët me 37 pikë: nuk kanë shpëtuar nga rënia, por mbizotërohen edhe nga euforia se kanë mundësinë të luajnë në Europë, nëse ruajnë këtë pozicion, apo ngjiten më lart. Ndaj sot në Durrës nuk pritet të “falin” ndaj Teutës. Por durrsakët, nga ana e tyre, e shohin veten më të rrezikuar se kurrë dhe një humbje me Laçin në shtëpi do të ishte një goditje e rëndë për mbijetesën e tyre. Apolonia pret Tiranën në Fier. Vendasit janë më të prekurit nga dhuratat e javëve të fundit. Kanë mbetur në vendnumëro për sa u përket pikëve, por janë parakaluar nga disa rivalë. Ndaj bardhebluve nuk kanë alternativë tjetër veç fitores. Por Tirana tani ka Starovën, i cili është marrë pikërisht për objektivin “shpëtim” dhe nuk do të preferonte ta komplikonte më shumë sezonin e skuadrës, por edhe nuk do të preferonte, që starti për herë të tretë si trajner i 24 herë kampionëve të fillonte me një humbje. Për Skënderbeun sot kundër Kastriotit në Krujë, është ndeshja e sezonit. Por për krutanët ambiciozë vështirë se do ishte e përtypshme një humbje në shtëpi, e cila vë në dyshim të ardhmen e tyre në Kategorinë Superiore. Për Gramozin, rënia është thuajse e garantuar. Sot do të luajë në Peqin ndaj Shkumbinit të etur për pikë, për të siguruar pozitat e tij, ndaj shanset që kolonjarët të marrin rezultat pozitiv janë të pakta.
#