Ganz e Vierkvud prezantojnë edicionin e tretë të Milan Junior Camp në Shqipëri
“Milan Junior Camp” përgatitet për edicionin e tretë në Shqipëri. Aktiviteti, nëpërmjet të cilit fëmijët stërviten nga trajnerët e akademisë së klubit kuqezi, do të zhvillohet nga data 5 deri më 9 korrik. Gjatë pesë ditëve do të angazhohen 100 fëmijë, ndërsa ashtu si ka ndodhur edhe më parë, 5 më të talentuarit do të udhëtojnë në Milano, ku do t’u bashkohen bashkëmoshatarëve nga e gjithë bota, për fazën finale të projektit, që parashikon prezencën edhe në një ndeshje të gjigantëve italianë në stadiumin “San Siro”. Për herë të parë, do të zhvillohet edhe turneu “Milan School Cup”: në aktivitetin që do të organizohet më 8 dhe 9 maj, do të marrin pjesë fëmijët e shkollave të kryeqytetit.
Në konferencën për shtyp të zhvilluar dje në Tiranë, përveç organizatorëve, të pranishëm kanë qenë edhe dy ish-futbollistë të Milanit, Mauricio Ganz dhe Pietro Vierkvud. “Jam shumë i lumtur që ndodhem në Tiranë për këto aktivitete. Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe ata do të kenë fatin të veshin fanellën e Milanit dhe ta përjetojnë atë. Veshja e ngjyrave kuqezi të dhuron një ndjesi të veçantë”, deklaroi Ganz, që tashmë punon me skuadrën e para të rinjve të klubit që ka fituar më shumë tituj në botë. Ish-sulmuesi, i cili ka dhënë një kontribut mjaft të madh në triumfin e Milanit në Serinë A, gjatë sezonit 1998–’99, foli edhe për sezonin aktual. Ai beson se skuadra e Leonardos ka ende shanse për të fituar titullin në Itali. 41-vjeçari tha: “Në momentin që po flasim Milani mund të ndodhej përpara Interit në renditje, por nuk i shfrytëzuam shanset që u krijuan. Pavarësisht kësaj, besoj se kemi ende mundësi për të fituar kampionatin, pasi zikaltrit kanë një kalendar të vështirë e janë të impenjuar edhe në Champions. Shpresoj të përsëritet sezoni 1998-’99, kur i fituam të gjitha ndeshjet e mbetura dhe e kaluam Lacion në javën e fundit. Interi mund të humbasë pikë të rëndësishme dhe i uroj Milanit që të përfitojë”. Ndërkohë, Vierkvud bëri një ftesë të hapur për të gjithë fëmijët, që të mos mungojnë në këtë aktivitet. “Ftoj të gjithë fëmijët ta duan sportin e futbollit. Për ta, kjo është thjesht një lojë. Megjithatë, i këshilloj që do të arrijnë të ngjiten në nivele profesioniste, që të mos e humbasin asnjëherë entuziazmin”, shtoi ai.