Qato mbron titullin WBF kundër serbit Knezheviq?
Boks
Kreshnik Qato do të kthehet në Shqipëri për të mbrojtur titullin e kampionit të botës në peshat super të mesme në versionin WBF. Boksieri i mirënjohur shqiptar pritet të hipë në ring, përpara tifozëve në kryeqytet, më 24 prill. Kundërshtari i 31-vjeçarit pritet të jetë serbi Goran Knezheviq: Gogi siç njihet ndryshe boksieri nga shteti ballkanas ka fituar 17 ndeshje si profesionist, humbur në dy raste, ndërsa në një përballje është ndarë në barazim. Dueli në Tiranë ende nuk është konfirmuar nga promotori i Qatos, Ylli Ndroqi, njëkohësisht edhe president i Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist, i cili kishte parashikuar që sfida e ardhshme e kampionit kuqezi të zhvillohej në muajin qershor. Përballja ndërmjet boksierit shqiptar dhe atij serb ishte parashikuar në tetor të vitit 2009, por në atë periudhë Knezheviq u tërhoq me justifikimin se po kalonte në gjendje gripale, e cila nuk e lejonte të ishte në maksimumin e formës. Me dështimin e këtij dueli, Qato u ndesh me italianin Fabio Lixheri, të cilin e mposhti me pikë pas 12 raundeve të zhvilluar në “Anhalt Arena” në Desau të Gjermanisë. Menaxheri i boksierit serb, Olaf Shrëder, deklaroi: “Gogi e meriton një shans për të luftuar për titullin. Ndoshta do të kërkojmë përcaktimin e një tjetër date që ai të ndeshet me Qaton, por nuk përjashtohet që të zgjedhim një tjetër rrugë”. Deri më tani, durrsaku, i cili jeton dhe stërvitet në Britaninë e Madhe, e ka mbrojtur tri herë titullin e kampionit në WBF (Federatës Botërore të Boksit).
#