Seria A hap dyert për shqiptarët Hykaj e Bakaj
Dy italiane për talentin e Mainz, Kievo vëzhgon sulmuesin e Dinamos
Pas të hershmëve të viteve ’40-’50 si Naim Kryeziu (Roma e Napoli) dhe Riza Lushta (Bari, Juventus, Napoli, Siena) edhe eksodit post-’90 si Erjon Bogdanit (Rexhina, Verona, Kievos, Siena Salernitana), Igli Tare (Breshia, Lacio), Evin Skela (Askoli), Edgar Canit (Palermo), Sajmir Ujkanit (Palermo) duket se dyert e Serisë A do të rihapen sërish për talentet shqiptare të futbollit. Lajmi është bërë i njohur dje nga një prej faqeve sportive italiane online të specializuar në merkato “Tuttomercatoweb.com”, sipas të cilës, dy nga talentet më të spikatur të 5 viteve të fundit, pjesë të Kombëtares kuqezi, Jahmir Hyka dhe Elis Bakaj, janë në fokusin e disa skuadrave italiane gjatë merkatos së dimrit.
Sirena nga dy skuadra italiane për fantazistin shqiptar të Mainz 05, Jahmir Hyka. Sipas “Tuttomercatoweb.com”, nëse vitin e kaluar dështoi tratativa e kalimit të mesfushorit të kombëtares shqiptare te Palermo, pasi skuadra që zotëron kartonin e tij që prej verës së 2008, gjermanët e FSV Mainc 05 nuk pranoi këmbimin me Maurizio çiaramitaro, tani Jahmir Hyka i ka të gjitha mundësitë të luajë në fushat e Serie A italiane. Fantazisti i Mainz 05 ndiqet nga dy skuadra italiane dhe ekzistojnë mundësitë që mesfushori kuqezi të zbarkojë në Itali me formulën e huazimit, por e shoqëruar kjo me të drejtën e blerjes së kartonit. Hyka ka qenë më parë pjesë e Rozenborg në Norvegji dhe Olympiakos në Greqi, përpara se të luante me Tiranën. Por transferimi i tij në Gjermani te Mainzi në verën 2008 nuk rezultoi i suksesshëm, pasi shqiptari nuk po gjen hapësirën e duhur për të luajtur në formacionin e parë. Gjithsesi, interesimi i dy skuadrave italiane është një shans për t’u aktivizuar dhe për të demonstruar vlerat e tij.
Elis Bakaj mund të bashkohet me Erjon Bogdanin te Kievo në Serie A. Faqja italiane “Tuttomercatoweb.com” ka bërë të ditur se, Kievo Verona është duke ndjekur mesfushorin 22-vjeçar të Dinamos, njëherësh edhe golashënuesin më të mirë në 17 javët e para, 10 gola. Drejtuesit e Kievo Veronës kanë parë disa DVD-i nga ndeshjet e ish-lojtarit të Partizanit dhe priten të nisin bisedimet me futbollist dhe agjentin e tij. Për Bakajn kanë shfaqur interes edhe gjermanët e Borussia Dortmund dhe azerbajxhanasit e Inter Baku. Bakaj, futbollisti më i mirë i kampionatit shqiptar për vitin 2009, aktualisht ndodhet në grumbullim me Dinamon në Antalia të Turqisë. Ndërkohë që në karrierën e tij ka luajtur për tri sezone radhazi (nga 2005-2008) në ekipin e Partizanit, ku ka koleksionuar 73 ndeshje dhe 23 gola të shënuar. Do të jenë ditët ardhshme ato që do të qartësojnë edhe të rejat në lidhje me interesimin e mëtejshme të ekipeve të Serisë A për dy talentet shqiptare.
#