E Diel, 1 Nëntor 2026

Që nesër të mos jetë vonë

Diku nga mesi i viteve ’80 ndonjërit edhe mund t’i kujtohet se në fund të lajmeve të “Zërit të Amerikës” gjithmonë jepej një koment i shkurtër mbi pikëpamjet e SHBA për fusha të ndryshme Një ndër këto komente është edhe rrëfimi i një prifti katolik gjerman që ishte burgosur nga nazistët. Prifti rrëfen për kohën dhe procesin e ngritjes e konsolidimit të diktaturës naziste. “Kur u persekutuan hebrenjtë, unë nuk fola, pasi nuk isha hebre, kur u persekutuan kapitalistët e mëdhenj, unë nuk fola, se nuk isha kapitalist, kur u persekutuan ortodoksit, unë nuk fola, se nuk isha ortodoks, kur më persekutuan mua, nuk kishte kush të fliste më”.

Në anën tjetër, duhet thënë se ata popuj e kombe që kanë përjetuar tragjedi e krime makabre në kurriz të tyre dhe nuk arrijnë të nxjerrin mësime mbi to, jo vetëm rrezikojnë, por me siguri që do t’iu rikthehen përsëri atyre kohërave që mendojnë apo bëjnë sikur besojnë se i kaluan një herë e nuk mund të kthehen më.

Populli shqiptar mendoj se e di që diktatura komuniste nuk u instalua për një ditë, pasi po t’iu kishte thënë partizaneve Partia Komuniste se, pasi të fitojmë luftën, do t’ua numërojmë edhe pulat te shtëpia e nuk do t’iu lejojmë më shumë se dhjetë, me siguri që partizanët do ta kishin thyer pushkën e do ishin kthyer në shtëpi më së pakti. Treguesi më i mirë për të dalluar ngritjen e një pushteti e sistemi antipopullor e antikombëtar, pavarësisht emrit, ngjyrës, apo ideologjisë mbetet arritja dhe mbajtja e pushtetit me çdo çmim e formë, pavarësisht interesave të vendit e popullit, mjafton që karrigia e tyre të qëndrojë, nuk ka kurrfarë rëndësie mbi çfarë.

Kjo nuk është ndonjë shpikje e imja, por është përkthimi në shqipen e thjeshtë i principeve bazë të sistemit demokratik, që për shoqëritë që dëshirojnë të ndërtojnë sisteme demokratike funksionale, përjetësia e pushtetit është në kundërshtim të hapur me vlerat dhe parimet e demokracisë.

Liderët politikë që marrin apo ua japin mandatin për të qeverisur e ngritur sistemin demokratik, sidomos në një shoqëri postkomuniste, duhet të jenë nga ata njerëz që parimet dhe vlerat demokratike i kanë në shpirtin e qenien e tyre, e jo nga ata që në shpirt kanë unin e diktatin e në publik flasin për demokraci. Kjo racë njerëzish quhen demagogë e komunistë të pandreqshëm që arrinin të merreshin edhe çmimin për ushqimin e popullatës, kur në prag ishte uria kolektive.

Ai lidership që nuk garanton e respekton vullnetin e popullit të shprehur në votë, çdo gjë mund të jetë, vetëm përfaqësues i sistemit të ri që aspirojmë kurrsesi. Asnjë shfajësim nuk ka vlerë e vend, edhe po të thuash se kundërshtarët e mi e morën pushtetin dy herë me pushkë e për rreth 60 vjet nuk e respektuan ndonjëherë vullnetin e shqiptarëve.

Nëse lidershipi politik aktual në Shqipëri nuk ka qenë i zoti për të vendosur një sistem të njëjtë me atë që përmbysëm në ’90, duhet thënë se këtë nuk ka mundur ta bëjë jo se nuk e ka pasur vullnetin e dëshirën, por kushtet gjeopolitike nuk e kanë favorizuar. Në anën tjetër, fatkeqësisht, kuraja qytetare e reagimi i opinionit publik në Shqipëri ka qenë dhe është pothuaj inekzistent me gjithë shumat marramendëse që kanë investuar perëndimorët në këtë drejtim.

Nuk besoj se ka shqiptar që nuk e di, edhe nëse nuk e thotë për arsyet e tij nga më të ndryshmet, se përparimi dhe progresi i Shqipërisë dhe shqiptarëve iu vjen nga Perëndimi. Por këtë progres nuk e dëshirojnë “përfaqësuesit” e tyre politikë, pasi në Lindje shikojnë progresin dhe mbijetesën e tyre e jo të Shqipërisë. Të ftosh dhe të bashkëpunosh me Perëndimin, do të thotë që me ndërgjegje të mbartësh e të aplikosh parimet dhe vlerat e tij, të cilat kanë si gur themeli pushtetin legjitim të dalë mbi bazën e votës së lirë e të ndershme, respektimi i pronës private legjitime deri në kufijtë e shenjtërimit e respektim të plotë të besimit fetar.

Cila nga këto shtylla të fuqishme, mbi të cilën ngrihet sistemi demokratik zbatohet plotësisht e me ndërgjegje nga politikanët tanë që prej 18 vjetësh? Asnjëra. Edhe ai pak progres që është bërë, është arritur me stërmundimin e institucioneve perëndimore duke i shtyrë politikanët e qeveritarët tanë të çdo ngjyre kudo dhe për çdo gjë.

Edhe atëherë kur janë arritur marrëveshje të mira në funksion të sistemit, pa u tharë akoma boja e marrëveshjes, në sy të dëshmitarëve perëndimorë është punuar me ngulm për ta zhvlerësuar shpejt ose janë sjellë sikur nuk është nënshkruar ndonjëherë, siç është rasti i Kushtetutës që edhe 10 vjet pas aprovimit të saj injorohet hapur në nenet kyçe siç janë ato mbi pronën private.

Qeveritarët tanë e kanë për detyrim që t’ua thonë shqiptarëve se Shqipëria e shqiptarët kanë më shumë nevojë për Perëndimin se sa ka Perëndimi për ne, e nëse këtë nuk e thonë politikanët tanë, ky detyrim bie mbi diasporën rreth dymilionëshe. A ka qeveri në botën demokratike që mbështet e përkrah hapur grabitësit e pasurive të patundshme të shqiptarëve duke dëmtuar jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e Shqipërisë e shqiptarëve me bllokimin e investimeve të kapitalit të huaj e vendas? E them këtë, pasi, nëse nuk realizohen investime strategjike të planifikuara nga miqtë tanë, siç është Korridori 8 e shumë si ky, për Shqipërinë është katastrofë, kurse për miqtë tanë me gjithë keqardhjen nuk është ndonjë dëm i madh, pasi këto projekte i realizojnë disa qindra kilometra më tej. Që për Amerikën është sikur të mos realizohet një projekt ekonomik në Ohaio, por në Nju-Jork.

Në trojet amtare e diasporë duhet të ndërgjegjësohemi se era nuk ka për të fryrë gjithmonë në velat tona e duhet të përgatitemi se nganjëherë vijnë edhe furtuna. Nëse kemi qenë të humburit e historisë, kjo ka ndodhur edhe si pasojë e koniukturave gjeopolitike që kemi kaluar, por më së shumti për fajin e vetë shqiptarëve.

Sot, i kemi të tëra mundësitë për t’u orientuar e nisur për aty ku realisht është vendi i kombit tonë. Mos ardhtë ajo ditë kurrë, por me siguri politikanët tanë kanë për të gjetur 1000 arsye për të shpjeguar dështimin, nëse dështojmë, e në fund do të bëjnë fajtorë edhe shqiptarët e thjeshtë dhe kurrë veten e tyre. Përse duhet mbështetur një pushtet që vret qytetarët e vet dhe nuk ka as kurajën minimale që së paku të largohet? Edhe nëse mendon se nuk është fajtor, së paku ishte i paaftë që ta ndalonte një katastrofë të tillë njerëzore e ekonomike, apo thjesht për deklaratën e 15 marsit se qeveria e Ministria e Mbrojtjes nuk kishin asnjë faj për Gërdecin, edhe pse pas 2 muajsh u mblodhën 600 faqe material nga organi i akuzës. A mundet kryeministri Berisha t’u tregojë shqiptarëve se sa është dëmi real i shpërthimit qeveritar në Gërdec, nëse llogarit edhe jetët e humbura të 26 qytetarëve e plagosjet e 300 të tjerëve, pasi në përllogaritjet e tij se paku deri tani kemi dëgjuar vetëm dëme materiale, përllogaritje tipike e një mentaliteti komunist?

A ka paradoks më të madh për aspiratën e shqiptarëve për t'iu bashkangjitur Perëndimit, ku sipas sondazhit të “Gallup”-it është populli më proamerikan në botë dhe lejon që të qeveriset nga një kryeministër që nuk i ka parë dyert e Uashingtonit zyrtar që prej 14 vjetësh? Një gjë mendoj se e di çdo shqiptar, se administratat amerikane që nga koha e Willsonit e deri tek e George W. Bush kanë qenë më proshqiptare sesa vetë qeveritë që kanë qeverisur Shqipërinë apo më mirë të them nga sundimtarët e emëruar nga qarqet më antishqiptare që na ka konfirmuar historia. A ka paradoks më të madh sesa në dy vitet e fundit, kur kemi parë një impenjim maksimal të administratës amerikane në të tëra nivelet me në krye presidentin Bush për çështjen e Kosovës dhe kryeministri i shtetit shqiptar as nuk ftohet, qoftë edhe për një konsulte rutinë?

Shqiptarët do t’i akuzojnë për dhjetëra të bëra dhe të pabëra, vetëm një akuzë kurrë nuk do e bëjnë, që si nuk patën kurajën qytetare shqiptarët për t’i qëruar me vakt përfaqësuesit e tyre dështakë, për të mos thënë ndryshe! Pak rëndësi do të ketë që ishin përfaqësues të vetemëruar apo të zgjedhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›